Punësim në Gjermani nga 1 marsi 2020, sidomos për ata me shkollim profesional dhe diploma

Saturday, 19 October 2019 09:43

Prej gushtit të këtij viti, Peter Zingraf është në krye të Ambasadës Gjermane në Shqipëri. Në një intervistë për “Monitor”, ai nënvizoi qëndrimin pozitiv të Bundestag-ut gjerman dhe Qeverisë Federale për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe shpjegoi se si ky vendim pozitiv do ta sillte Shqipërinë më pranë BE-së në standard dhe konkurrueshmërinë.

Ambasadori është njohur më nga afër edhe me disa nga projektet gjatë një udhëtimi në rajonin e Shkodrës, ku bashkëfinancuese është edhe qeveria gjermane. Për sa i përket emigracionit, ambasadori Zingraf është shprehur se po përpiqen që nëpërmjet projekteve në Shqipëri, të përmirësojnë kushtet e jetesës dhe perspektivën për të ardhmen. Megjithatë, në vitet e fundit, është rritur interesi i shqiptarëve për qëllim punësimi.

Shqipëria pret përgjigje nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave. Çfarë pasojash do të ketë një përgjigje negative për vendin, në aspektin politik dhe ekonomik?

Para së gjithash, dëshiroj të nënvizoj se Bundestag-u gjerman dhe Qeveria Federale i kanë thënë “PO” hapjes së negociatave me Shqipërinë. Nga pikëpamja jonë, është në interesin strategjik të Bashkimit Europian të përforcojë besueshmërinë e perspektivës së anëtarësimit këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor me vendime, të cilat do të mundësonin hapat e mëtejshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Një vendim pozitiv do të kontribuonte në intensifikimin e mëtejshëm të dialogut të reformave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, veçanërisht për çështje detajesh specifike, si dhe do ta sillte Shqipërinë më pranë standardeve dhe aftësisë konkurruese të Bashkimit Europian.

Në janar të vitit 2020, pritet që në Gjermani të hyjë në fuqi një paketë ligjore që lehtëson emigrimin e shtetasve me origjinë jo-BE. Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një individ për të përfituar vizë? Sa rrezikon kjo që të ketë një valë të re emigrimi nga Shqipëria?

Ligji për emigrimin e fuqisë punëtore tashmë është miratuar dhe do të hyjë në fuqi më 1 mars 2020. Ai do të duhet të veprojë kundër mungesës së fuqisë punëtore që kemi në Gjermani

Ky ligj u adresohet, para së gjithash, shtetaseve dhe shtetasve nga vendet jo-BE, të cilët kanë përfunduar një shkollim profesional të kualifikuar gjerman, ose një shkollim profesional të kualifikuar të huaj, i cili duhet të jetë ekuivalent me atë gjerman, si dhe atyre, të cilët kanë një diplomë gjermane, një diplomë të huaj që njihet në Gjermani ose një diplomë të huaj të krahasueshme me diplomën gjermane.

Një parakusht i rëndësishëm për të përfituar nga ligji i ri për emigrimin e fuqisë punëtore është paraqitja e dëshmisë së kualifikimit profesional. Në të njëjtën kohë, ne përpiqemi që përmes projekteve të gjera të bashkëpunimit tonë për zhvillim të përmirësojmë kushtet e jetesës në Shqipëri, por dhe perspektivën për të ardhmen, sidomos për të rinjtë.

Sipas të dhënave të EUROSTAT, numri i shqiptarëve të pajisur me leje qëndrimi në Gjermani për arsye të punësimit ka shënuar rritje të fortë. Si paraqitet situata në 2019? Sa ka qenë numri i kërkesave për vizë emigruese për punësim? Cilat grup profesionesh po sigurojnë kontrata pune në Gjermani?

Me të vërtetë që, vitet e fundit, ne shohim rritje të interesit të shqiptareve dhe shqiptarëve për të shkuar në Gjermani për qëllim punësimi. Në vitin 2017, ne kemi aprovuar rreth 3.500 viza, ndërsa në vitin 2018 ato ishin pothuajse 5.000. Ne nuk kemi njohuri për mundësitë e suksesit në sigurimin e një kontrate pune në fusha specifike. Të gjithë personat që aplikojnë te ne paraqesin një kontratë pune, të siguruar tashmë. Personalisht do të dëshiroja që ky emigracion të mos ishte një rrugë vetëm me një drejtim por që shqiptaret dhe shqiptarët në Gjermani të mblidhnin përvoja të vlefshme, të cilat të mund t’i sillnin më pas në atdheun e tyre.

Viti 2015 shënoi një bum kërkesash për azil nga shqiptarët në Gjermani, të cilat janë reduktuar vitet e fundit dhe shumë aplikantë janë riatdhesuar sërish në vend. Çfarë programesh ka ndërmarrë Ambasada për integrimin e tyre sërish në vend? A ekziston mundësia që këta të kthyer të përfitojnë nga lehtësitë e paketës së re për emigracionin që pritet të hyjë në fuqi?

Qeveria Federale mbështet masat lehtësuese për një riintegrim ekonomik dhe social të shqiptareve dhe shqiptarëve pas kthimit të tyre në Shqipëri. Para pak ditësh, kam vizituar një projekt social të quajtur “Shpresa për të ardhmen”: një shtëpi në Shkodër, dera e së cilës qëndron e hapur për të gjithë. Atje shumëkush mund të ndjekë kurse gatimi, ose punëdoreje, si dhe kurse gjuhe ose trajnime parapërgatitore për një aplikim për vend pune. Shtëpia gjithashtu funksionon si një pikë shoqërore takimi.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është DIMAK – qendra e informacionit ofron në telefon, përmes rrjeteve sociale ose përmes takimeve në zyrat e saj në Tiranë këshillime rreth mundësimeve të punësimit, ose kualifikimit për personat e kthyer. DIMAK ofron trajnime parapërgatitore për aplikime, nëpërmjet të cilave, të gjithë të interesuarit mund të perfeksionohen në formulimin e një jetëshkrimi ose në paraqitjen sa më të mirë në bisedën prezantuese për një vend pune./Me shkurtime nga MONITOR

Login to post comments