Fitim Zekthi/ Mënyra se si po përpiqet Kryeministri Rama të përballet me përgjegjësitë për kritikat e thella dhe kushtet e vendeve të BE-së për hapjen e negociatave, duke pasur parasysh dështimin e përvitshëm gjatë qeverisjes së tij, sidomos kur kishte rreth tre vjet që thotë se negociatat janë hapur, është plotësisht e ngjashme me mënyrën se si po përpiqej Xhelil Gjoni në korrik të vitit 1990 të mbronte qeverisjen e Partisë së Punës pas shpërthimit të dyerve të ambasadave dhe pas kaplimit të krizës në çdo qelizë të vendit.
Xhelil Gjoni u rrek të bindë popullin se Partia e Punës ishte e fortë, se ndërtimi i socializmit do të vazhdonte fuqimisht, se ngjarjet e fundit ishin veç shenja që kërkonin më shumë vigjilencë dhe sakrificë, se armiqtë nuk reshtnin kurrë së punuari kundër Shqipërisë etj., etj.
Në atë kohë kriza ishte e gjithanshme, organike. Pushteti i Partisë së Punës ishte i stërmadh, por në thelb ai kishte vdekur. Asaj i kishte mbetur vetëm dhuna ose largimi. Ajo u përpoq të shkojë drejt dhunës, por duke e kuptuar se ajo është më e keqe se largimi, u përgatit të largohet.
Ndonëse një regjim totalitar, ndonëse një parti me pushtet absolut, e cila kishte kryer për 45 vite krime nga më të poshtrat, ajo ishte e konsumuar, e plakur, e sëmurë në mënyrë të kthyeshme. çfarëdo që të thoshte dhe bënte Xhelil Gjoni apo Ramiz Alia, Spiro Koleka apo Foto Çami në kushtet e atij dështimi, mjerimi dhe kriminalizimi të plotë dhe të atij presioni nga Europa dhe bota demokratike nuk do ta ndryshonte dot gjendjen e rëndë të vendit dhe nuk do ta fashiste dot krizën e gjithanshme.
Shqipëria sot mund të mos jetë në krizën e vitit 1990, por kur pushtetarë të lartë të një regjimi totalitar, pushtetarë të konsumuar dhe të plakur, pushtetarë përgjegjës direkt për atë gjendje, pushtetarë të një vendi të zhytur në mjerim dhe në depresion nuk gjetën asnjë mënyrë për të mbajtur në këmbë regjimin e tyre dhe vijuan “ndërtimin e socializmit”, pa dyshim që kryeministri Rama nuk do të mundet kurrë më të prodhojë një narrativë shprese dhe të mbajë pushtetin në mënyrë demokratike.
Shqipëria sot mund të mos jetë në krizën e vitit 1990 por edhe kriza e sotme është po aq e gjithanshme dhe organike sa ajo. Kriza e sotme ka kapur në të vërtetë çdo qelizë të vendit nga politika tek ekonomia, nga rendi te krimi, nga pavarësia e institucioneve te shkatërrimi i zgjedhjeve. Gënjeshtra të paktën trevjeçare, me gjoja hapjen e negociatave, dhe përpjekja për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi nga qeveria shqiptare duke fajësuar Francën, Gjermaninë apo Holandën, duke fajësuar Europën dhe të tjerët janë pika përmbyllëse e dëshmisë së kësaj krize të gjithanshme.
Kryeministri Rama është i zhytur në një paradoks të tmerrshëm. Ai sillet dhe duket se ka në kokë një projekt të tijin. Ai mendon të qeverisë Shqipërinë edhe për disa vite, të paktën tani e ka mendjen se si tua hedhë të gjithëve dhe të marrë një mandat të tretë. Më pas, mendon ai, do të luftojë për një mandat të katërt, do t’u japë një konfigurim të ri partive në Shqipëri dhe do të jetë një “mbret” i ri, që do të imponojë lehtësisht gjithë shijet e tij etj., etj. Është në natyrën e politikanëve si Rama që të mendojnë në këtë mënyrë dhe të shkëputen plotësisht nga realiteti, duke pasur vetëm një synim: jetëgjatësinë dhe pushtetin. Mirëpo, edhe këtu qëndron paradoksi: Rama është aq i konsumuar, aq i plakur, vendi është aq në krizë, dështimet e tij janë aq të mëdha, sa ai mund të bjerë edhe për pak ditë ose për pak javë. është pikërisht ajo situata e një njeriu, përgjithësisht i parealizuar, i cili ka plane, kërkon të bëjë gjëra të caktuara dekadat që vijnë në letërsi apo biznes, në arkitekturë apo në sport, ndërkohë që është sëmurë me një patologji të pashërueshme.
Është pikërisht kjo gjendja e Kryeministrit Rama sot. Ai përpiqet të sillet sikur është i ri, sikur ka hyrë tani në politikë, sikur nuk ka përgjegjësi për asgjë, sikur gjithçka që shkon keq është përgjegjësi e të tjerëve, sikur ai me “rininë e vet”, me “pastërtinë e vet” do të tejkalojë këtë gjendje të rëndë dhe do ta fusë vendin në një etapë të re.
Edi Rama është politikani aktual që ka qenë më gjatë në pushtet, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në rajon, jo vetëm në të gjithë Europën, por edhe në botë. Atij ia kalon Raul Castro (Presidenti i Kubës), që është bërë Sekretar i Dytë i Partisë Komuniste të Kubës në 1965 (vëllai i Fidelit), Aleksandër Lukashenko, që është bërë President i Bjellorusisë në vitin 1994, Presidenti Nursultan Basajev i Kazakistanit, që hipi në pushtet në 1990 dhe u largua disa muaj më parë, Presidenti Karimov i Uzbekistanit, që erdhi në pushtet në 1990 dhe u largua në 2016, Presidenti i Algjerisë Buteflika, që kërkonte një mandat të pestë, por u largua pak muaj më parë etj.
Edi Rama ka ardhur në pushtet në vitin 1998. Ai ka qenë dy vjet ministër Kulture, njëmbëdhjetë vjet kryetar bashkie dhe tani ka mbi gjashtë vjet Kryeministër. Në këto 21 vite, ai ka qenë 19 vjet në pushtet. Gjithë këto vite konsumim kanë shterur tek ai çdo mundësi për akrobaci apo spërdredhje, kanë zhdukur çdo milimetër katror hapësirë për t’ua hedhur njerëzve, qofshin këta politikanë, gazetarë apo njerëz të thjeshtë. Ai është në pikën ku ishte ish-Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, kur po rrëzohej nga protestat në Kajro. Peggy Noonan, ish-këshilltare e Presidentit Reagan, shkroi për Presidentin Mubarak se pas gati 30 vitesh në pushtet, atij nuk i kishte mbetur më asgjë për t’i thënë popullit. Ai kishte mbërritur në pikën kur, jo vetëm që dështimet në ekonomi, korrupsioni, krimi, zhdukja e shpresës etj., i faturoheshin me të drejtë atij, por ai fajësohej nga njerëzit edhe për thatësirën apo stuhitë e rërës (Kur qeveria është e keqe dhe e padrejtë dhe njerëzit i pranojnë padrejtësitë, atëherë edhe fatkeqësitë natyrore besohet se kanë lidhje me qeverinë dhe padrejtësitë. Ky është një diskutim tjetër, megjithatë). Pra, Mubarak nuk mund të besohej më për asgjë. Nuk janë pak 21 vite, nuk janë pak 19 vite në pushtet.
Vitet e kanë plakur Ramën shumë, e kanë rraskapitur, kanë lënë shenja të pakthyeshme. Rama sot është njëlloj si banorët e plakur Strulbrugs të ishullit të Lugnag, në librin “Udhëtimet e Guliverit” të Xhonatan Suift. Strulbrugsat ishin njerëz të pavdekshëm. Deri në moshën 30-vjeçare, ata jetonin pa e ditur që ishin të pavdekshëm dhe silleshin si njerëz të zakonshëm. Pas kësaj moshe, ata e kuptonin që ishin të pavdekshëm dhe i kapte një dëshpërim i vazhdueshëm. Në moshën 80-vjeçare, ata ishin plakur dhe hynin në një fazë të re të jetës. Pas kësaj moshe, ata nuk kishin më të drejtën të kishin asnjë pronë. Ligji nuk u lejonte asgjë. Ata konsideroheshin të vdekur nga ligji, ndonëse ishin gjallë dhe të pavdekshëm. Ata nuk kishin më të drejtë as të bënin marrëveshje, as të bënin kontrata, as të shisnin dhe blinin, as të kërkonin gjëra dhe as të punonin. Në moshën 90-vjeçare, ata humbnin dhëmbët dhe flokët. Atyre iu shfaqeshin të gjitha sëmundjet dhe dhimbjet që shfaqen me ardhjen e pleqërisë. Atyre iu jepej shumë pak ushqim. Pas një moshe të caktuar, ata humbnin edhe ndjeshmëritë, edhe aftësinë për të komunikuar e me radhë e me radhë…
Kryeministri Rama ka thënë për “Courrier de Balkans” në vitin 2013, një ditë pas fitores së zgjedhjeve, se ai ka një problem për të zgjidhur me vdekjen dhe këtë synon ta bëjë përmes politikës. Çfarëdo zgjidhjeje t’i ketë dhënë Kryeministri Rama problemit të vdekjes, ai nuk mund të shmangë plakjen, konsumimin, drobitjen që shkaktojnë vitet. Për më tepër, ai nuk mund të shmangë kurrë dështimet dhe krizën e gjithanshme të tanishme, ai nuk mund të shmangë përgjegjësitë që ka për 21 vite në politikë dhe 19 vite në pushtet. Ai, si strulbrugsat, ka hyrë në periudhën kur ka konsumuar gjithçka dhe askush nuk i beson më, në një kuptim politik, të drejtën e pronës, të kontratës, të marrëveshjes, të punës etj. Ky është makthi i tij i madh, ai të cilit i është trembur gjithnjë. Politikisht, ai është sot një zombie, ndonëse do të bëjë gjithçka të mos e pranojë.