KORÇE/ DHORJELA ÇULE/ Leshnica është fshati më i prekur në Shqipëri nga radikalizimi i të rinjve, që përfunduan në Siri duke luftuar për Shtetin Islamik.
Fshati ndodhet vetëm 15 km larg Pogradecit. Ndonëse banorët nuk gjejnë dot një shkak për këtë fenomen, një pjesë e fajit duket se i takon ishimamit të xhamisë, Almir Daci.
Vala e largimeve të shqiptarëve drejt Sirisë për të luftuar në emër të xhihadit mbetet një plagë e hapur për familjet e mbetura pas. Familjet përballen jo vetëm me humbjen e djemve të tyre, por edhe me pengun që nuk mund të kenë pranë nipërit dhe mbesat. Që nga viti 2013, Leshnica njihet si vatër ku u rekrutuan të rinj në emër të fesë, të cilët më pas u nisën drejt Sirisë, në të shumtën e rasteve pa kthim.
Ervis Alinj u largua, por për të nuk ka asnjë informacion. Ndërsa për Bledar Hamzën, babai i dy fëmijëve, dyshohet se u vra gjatë luftimeve në Siri. Nga i njëjti fshat është edhe Almir Daci, ish-imami i fshatit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar për rekrutimin e tyre. Familjarët e tyre, por edhe banorë të fshatit, të cilët çdo ditë shohin dhimbjen e prindërve të tyre, kërkojnë rikthimin e fëmijëve.
Në familjen e Almirit jetojnë nëna dhe babai i moshuar. Të rënduar psikologjikisht, ata u përballën me pasojat e vendimit të djalit të tyre, por edhe akuzat se ai ishte përgjegjësi për largimin e disa të rinjve të tjerë. Nafia dhe Xhevahiri e kanë pranuar humbjen e të birit, por nuk dorëzohen përballë shpresës se mund të shohin dy mbesat dhe nipin.
72-vjeçarja gjysmë e paralizuar, teksa qëndron e ulur në verandën e shtëpisë, e ka të vështirë të flasë. Sapo kujton dy mbesat dhe nipin, mes lotësh thotë: “Djalin ma vranë, ai nuk jeton më, nuk kanë çfarë kërkojnë prej tij”.
Ndërsa Xhevahiri thuajse nuk e zë fare në gojë të birin, por thotë se pret që një ditë të ketë pranë nipin, që s’e ka parë asnjëherë dhe dy mbesat për të cilat u kujdes që kur lindën.
“Nuk kam më asnjë informacion nga nusja dhe fëmijët, nuk di si janë, çfarë bëjnë. Kam kërkuar që të vijnë, por s’di ku të përplasem më tepër. Vajzat u rritën këtu, djali lindi andej, s’e kam parë asnjëherë. Edhe prindërit e nuses s’dinin gjë, as ata s’i kishte marrë nusja në telefon, as u kishte shkruar, asgjë… Unë derën e kam të hapur dhe sa të kem fuqi e jetë do t’u përgjigjem atyre fëmijëve. shtëpinë ja ku e kanë, tokat, gjithçka kemi, të vijnë e të rriten këtu. Të m’i sjellë shteti, mos mbeten andej si njeri pa njeri. Unë s’kam forcë as t’i gjej e as t’i kthej këtu”, shprehet i moshuari.
Bledar Hamza nga fshati Leshnicë është një tjetër i ri i larguar dhe i vrarë në Siri. 28-vjeçari, i diplomuar me rezultate të larta në degën e Financës në shtetin italian, u kthye për të jetuar në Tiranë, ku edhe krijoi familjen e tij. Por prej atje ai u rekrutua dhe u largua drejt Sirisë dhe mori me vete edhe bashkëshorten e vajzën e tij, ndërsa një tjetër vajzë e solli në jetë në vendin islamik. Ndërsa u sinjalizua se ai mund të ishte vrarë gjatë luftimeve, për bashkëshorten dhe dy vajzat e mitura nuk ka asnjë informacion. Gjyshja e tij, Fitreti, ende nuk e pranon se ai nuk është më në jetë. Duke treguar se ajo e ka rritur nipin e saj ndërsa i ati ishte në emigrim, 86-vjeçarja pohon se nuk mundi t’i njohë stërmbesat e saj, por shpreson se do t’i shohë një ditë.
“Ai iku andej për para, këtë e di shumë mirë. Shkoi që të fitonte më shumë para sepse nuk e përballonte dot jetesën këtu. Vajzave të tij as emrin nuk ua di. E rrita atë djalë me sakrifica, i ati iku në emigrim, unë kujdesesha për të që foshnjë, derisa djali im mori të gjithë familjen në Itali. Nuk di ç’të them, por t’i shihja edhe një herë para se të vdisja, mos më mbetej peng”, thotë Fitreti e përlotur. Ervis Alinj është një tjetër i ri, i cili u largua, ndërsa familja nuk ka asnjë kontakt me të. Hurmaja dhe Hamdiu nuk janë dorëzuar asnjëherë përballë fatit të djalit të tyre dhe ende kërkojnë nga shteti që t’u gjejë djalin e t’ua kthejë atë, pasi pretendojnë se ai është rekrutuar duke u mashtruar. “Fëmijët të kthehen, ne këtë duam. Shteti nuk u ka ardhur në ndihmë, shteti nuk ka ardhur as të na pyesë. Djali tha se do të shkonte në Turqi, ne kemi vite që nuk e kemi parë. Vitin e parë biseduam disa herë në telefon, më pas Almir Daci i tha nipit që të mos e kërkonim më. Prej vitesh nuk kemi asnjë kontakt me ta. Më kanë thënë që ka ardhur këtu në fshat, por ne nuk dimë asnjë gjë. Para disa ditësh, tre persona veshur me të bardha ishin në fshat. Dyshojmë se Ervisi ishte një prej tyre. Shohim çdo ditë ndodhitë në Siri dhe na dridhet zemra. E vetmja dëshirë të jetë gjallë të bëjë një telefonatë”, shprehet e ëma e Ervis Alinjit. Fshati Leshnicë hesht pas largimit të të rinjve, banorët thjesht përpiqen t’u gjenden pranë familjeve, që tashmë i kanë humbur djemtë e tyre dhe shpresojnë të paktën t’u kthehen nipërit e mbesat. Trauma ndihet ende sapo përmendet fjala Siri, pasi ata e dinë më mirë se kushdo se kjo ishte një rrugë pa kthim për të rinjtë që u larguan./PANORAMA.al