Puna e dobët e policisë në hetimin e vjedhjeve po bëhet shkak që grupet kriminale të përdorin githmonë e më shumë makinat e vjedhura në atentate.
Eksperti i sigurisë, Ilir Gjoci thotë se përdorimi i mjeteve të vjedhura në atentatet mafioze ka lidhje me punën parandaluese të policisë.
Gjoci: Policia duhet të bëjë çështë e mundur për parandalimin e këtyre ngjarjeve. Pastaj pasi ndodh krimi, duhet të bëjë çfarë është e mundur të zbulojë dhe kapë autorët dhe ti vendosë ata para drejtësisë.
Rasti më i fundit është atentati ndaj prokurorit Ndoj ku automjeti dhe targat e përdorura nga autorët u vodhën në vende të ndryshme konkretisht në Lushnjë dhe në Tiranë, për t'u përdorur më pas nga autorët.
Janë të paktën edhe 10 raste të ngjashme ku autorët e ekzekutimeve që kanë tronditur opinionin publik kanë përdorur automjete të vjedhura të cilat i kanë djegur më pas gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.
Më konkretisht sipas policisë automjete të vjedhura janë përdorur në vrasjen e Arben Bilalit, Santiago Malkos, avokatit Ravik Gurra, në ekzekutimin e Feriz Bardhit por dhe disa raste të tjera vrasjesh mafioze.
Qytetet kryesore ku vidhen makinat janë Fushë-Kruja, Tirana, Durrësi dhe Vlora. Përveç automjeteve autorët kanë vjedhur edhe targat që më pas i kanë mbivendosur për të humbur gjurmët por edhe për të çorientuar policinë.
Sipas Gjocit qytetarët duhet të bëjnë menjëherë denoncimin në polici për vjedhjen e automjetit pasi në raste vonesash mund të implikohen në ngjarje kriminale ku përdoret makina e tyre.
Gjoci: Nëse ju vidhet automjeti, ose targat e automjetit duhet menjëherë të paraqiten pranë stacioneve të policisë dhe bëjnë kallzimin përkatës pasi mjeti i tyre që është vjedhur mund të përdoret për një krim, transport të lëndëve narkotike apo grabitje.
Gjatë vitit 2019 në Shqipëri janë regjistruar 53 vrasje ku kanë humbur jetën 60 persona.