Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, e cila ka ndjekur nga afër gjithë aksionin në zonën e Astirit ku u shembën 33 banesa nga IKMT, dënon dhunën policore ndaj banorëve.
Vokshi: Mbi 2000 forca policie ndaj kujt? Bashkia dhe qeveria nuk kanë pranuar asnjëherë që të ulen me banorët. Nuk janë njoftuar banorët që do të bëhen prishjet. Nuk ka një dokument, por vetëm disa kryqe nëpër dyert e banesave që kjo banesë do të prishet.
Po ku do të strehohen banorët. Albana Vokshi e ftuar në RTV Ora konstaton një tjetër shkelje flagrante të qeverisë në këtë çështje.
Vokshi: Nuk ka asnjë vendim të bashkisë apo qeverisë që u siguron atyre një vend strehimi për të kaluar natën, për të kaluar ditën, për të kaluar muajt, për të kaluar vitin që vjen. Absolutisht asgjë. Dhe kjo është shkelje flagrante e legjislacionit aktual dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Vokshi nënvizon se qeveria ka ndjekur standarde të dyfishta me banorët e Astirit në procesin e legalizimit.
Vokshi: Kemi rastin që janë dy vëllezër në kurriz të njëri-tjetrit, njërit ja ka legalizuar, tjetrit nuk ja ka legalizuar. Ku qëndron ndryshimi? Njëri ka pasur mundësi ta paguante, tjetri nuk ka pasur. Ose ka mbaruar legalizimi vetëm për ata që kanë qenë të preferuarit e Erion Veliaj dhe qeverisë.Nuk kemi prokurori se po të kishte i pari që do shkonte në burg do të ishte Edi Rama.