Është shtuar misteri i të riut nga Vlora, i gjetur i pajetë këtë të mërkurë në afërsi të banesës së tij në Vlorë.
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar nga ku ka deklaruar se kemi të bëjmë me një vrasje. 34 vjeçari me inicialet K.D është qëlluar me armë zjarri. Sipas policisë në pjesën e pasme të shpatullës së 34 vjeçarit ka një plagë arme.
I riu nuk ishte një person me precedentë penalë dhe punonte në një firmë këpucësh në qytet. Mbetet ende mister arsyeja se përse mund të jetë qëlluar mbi 34 vjeçarin.
“Në lidhje me ngjarjen ku në orët e para të mëngjesit të sotëm u gjet një person i pajetë në afërsi të banesës së tij në lagjen “Kushtrimi”, ku nga veprimet paraprake rezultoi pa shenja dhune, ju informojmë se:
Pas hetimeve të mëtejshme, nga ekspertiza e plotë mjeko-ligjore, në trupin e 34 vjeçarit K.D, konkretisht në pjesën e pasme të shpatullës është konstatuar një plagë e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.
34 vjeçari punonte në një firmë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe nga ana e Policisë nuk njihet si person me precedent penal.
Në Policinë e Vlorës është ngritur një grup i posaçëm hetimor me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Vijojnë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë për sqarimin e rrethanave dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të autorit/ve”