Dy persona janë arrestuar në Korçë, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim pasi akuzohen për kontrabandim të veshjeve.
Policia e Korçës thotë se në pranga u vunë shtetasit I.M., 53 vjeç dhe S.N., 37 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M.A., 45 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit F.Ç., 41 vjeç, banues në Korçë.
"Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar në lagjet nr.17 dhe nr.18, në Korçë, në mjetet tip “Setra” dhe “Mercedes-Benz” me drejtues shtetasit M.A., dhe F.Ç., iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme konfeksionesh që iu përkiste dy shtetasve të arrestuar, pa dokumentacionin përkatës, e cila dyshohet të ketë hyrë në territorin shqiptar duke shmangur kontrollin dhe procedurat e rregullta doganore", thuhet në njoftimin e policisë.
Konfeksionet do të transportoheshin drejt qytetit të Tiranës, me qëllim shitjen e tyre.
Policia po punon për kapjen e shtetasit M.A., dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, kryer në bashkëpunim.