Plotësimi i vendeve bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe situata absurde, kur për një vend në këtë gjykatë janë “emëruar” dy anëtare, Arta Vorpsi nga parlamenti dhe Marsida Xhaferllari nga presidenca, është shndërruar në një lojë të ashpër akuzash politike. Nga njëra anë rilindasit e akuzojnë Metën se shkeli kushtetutën duke dekretuar bashkëjetuesen e Enkeleid Alibeajt, përtej afatit 30 ditor që i përcakton kushtetuta.
Nga ana tjetër presidenca akuzon një bashkëpunim mafioz, mes Kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani dhe Gramoz Ruçit, për të penguar zgjedhjen e lirë që Ilir Metës i ka ngarkuar kushtetuta.
Dhe në gjithë këtë lojë pika kyçe është një: A ka luajtur pisër Dvorani? A i ka mbajtur ai listat të fshehura në sirtar, me qëllim që të shkonin në kushtetuese, kandidatet që kërkonte Rilindja? A e ka bërë ai këtë akt varësie politike, me qëllimin që ta vinte kreun e shtetit pas dilemën: Ose të shkelte radhën e emërimeve (Njëherë ai e pastaj parlamenti e kështu në vazhdim) ose të kapërcente afatin 30 ditor që kishte në dispozicion për tu shprehur?
Për të gjitha këto pyetje ne kemi sot në duar të parin raport të detajuar zyrtar që fajëson krejtësisht Ardian Dvoranin. I hartuar me një gjuhë të drunjtë dhe shumë teknike, mes morisë së argumentave aty dallohet qartë përgjegjësia e kreu të KED.
Gjithçka zë fill në një mbledhje të 21 shtatorit 2019 ku u paraqit renditja e kandidatëve që do ti çoheshin kuvendit dhe presidencës. “Pas asaj mbledhjeje nuk pati më asnjë njoftim nga ana e kryetarit të Këshillit në lidhje me përfundimin e procedurës, pra dërgimin e listave të organet e emërtesës dhe dërgimin e tyre në mënyrën e logjikës së ligjit…” thuhet në raportin e Avokatit, ku Popullit ku vihet theksi edhe mbi faktin e rëndësishëm, se Dvorani i ka kryer këto akte pa miratimin e anëtarëve të tjerë (pra në ilegalitet) të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në materialin disa faqësh që i është shpërndarë këtë të hënë mediave, përveçse bëhet një rezyme e gjatë e procesit dhe e ligjeve e neneve që e rregullojnë atë vërehet: “nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë)”.
Pra aluzioni është i qartë: kjo është bërë për të vënë në pamundësi për të zgjedhur lirisht siç ia parashtron kushtetuta, kreu e shtetit.
Dhe duke lënë të kuptohet qartë se Dvorani në mënyrë vetiake dhe me qëllim i mbajti të fshehura listat e renditjes të anëtarëve për Gjykata Kushtetuese, raporti i avokatit të popullit i heq atij edhe mundësinë eçdo justifikimi se përse e vuri kuvendin në pozitë avantazhi duke ia dërguar ato rreth një javë më pas: “Ishin të njëjtat dosje dhe të njëjtat emra kandidatësh dhe nuk kishte arsye pse pse ato që iu dërguan presidencë t’I dërgoheshin edhe Kuvendit më me vonesë”.
Pikërisht kjo hile rilindase, mashë e së cilës u bë Ardian Dvorani, e bën raportin e Avokatit të Popullit të mbërrijë në përfundimin se KED nuk arrit të realizojë dot “një proces pa të meta” për plotësimin e Gjykatës Kushtetuesëe. Dhe si pjezë e këtyre të metave shënjstrohet pikërisht Kreu i institucionit për të cilin raporti thotë: “…as KED si organ kushtetues dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e përzgjedhjes të organeve të emërtesës, të cilat janë të sanksionuara si të tilla nga Kushtetuta”. Lapsi.al