Zëri i Amerikës/
Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Sam Brownback, u bëri sot thirrje politikanëve të rajonit të Ballkanit që të ndërtojnë një marrëdhënie të fortë diskutimesh me drejtuesit fetarë për të mposhtur mosbesimin, dëshpërimin dhe dekurajimin në shoqëritë e tyre.
“Inkurajoj dhe shpresoj të ketë më shumë dialog dhe ndërveprim midis përfaqësuesve të politikës dhe përfaqësuesve fetarë. Politika është larg fesë dhe kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme, duke e përdorur fenë si një mjet për paqen. Kështu mund të ngrihet një dialog kuptimplotë” - tha ambasadori Brownback.
Në disa vende, tha ai, ka diskriminime fetare, fobi dhe dhunë, duke i ndotur shoqëritë nga brenda, por feja mund të përdoret me sukses si një instrument për paqen, në mënyrë që njerëzit të respektojnë dhe të kujdesen për njëri tjetrin.
“Ballkani ka nevojë edhe që përfaqësuesit e fesë të bashkohen së bashku. Në këtë rajon shpirti, falja dhe pajtimi do të bëhet një model kryesor për botën. Inkurajoj edhe presidentët që janë këtu të bashkohen dhe ngrejnë marrëdhënie me faktorë të tjerë me ndikim në rajon, dhe për të kombinuar zërat e tyre në shërbim të një jete paqësore dhe të mbrojtur” – tha ambasadori Brownback.
Ai shtoi se Shqipëria është vendi i përsosur i lirive fetare, ndërkohë që shumë njerëz në botë janë të kufizuar në ushtrimin e lirive fetare, jetojnë nën dhunë, intolerancë e abuzime, madje disa qeveri i burgosin përfaqësusit e feve, sepse janë shumë të frikësuar prej tyre.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha në konferencën e organizuar së bashku me Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se Shqipëria mbështet nismën e SHBA-ve për krijimin e aleancës për liritë fetare.
“Shqipëria përshëndet dhe mbështet nismën e SHBA-ve dhe planet e sekretarit amerikan të shtetit Pompeo për krijimin e aleancës ndërkombëtare të lrisë fetare, një aleancë e kombeve me të njëjtën mendje, të përkushtuar për të luftuar persekutimin fetar në të gjithë botën. Të gjitha shtetet në rajonin tonë i janë bashkuar koalicionit global kundër terrorizmit, por ne duhet të sigurojmë një stabilitet politik për secilin nga vendet tona dhe rajonin tonë, në mënyrë që t’u krijojmë siguri popujve tanë, që të arrijmë zhvillimin e ekonomive dhe të mos lejojmë shfaqjen e ekstremizmit fetar , diplomacinë e butë nga faktorët e tretë dhe ndikimin e huaj negativ” - tha presidenti Meta.
Ai tha se nevojitet vëmendje më e madhe ndaj minoriteteve dhe shtresave në nevojë që janë më vulnerabël ndaj çdo lloj ndikimi. Po ashtu nevojitet, si në rastin e të miturit Alvin Berisha, mbrojtje, kujdes dhe integrim edhe për shumë shqiptarë të tjerë nëpër kampet e Sirisë. Vendet e rajonit duhet të zbutin varfërinë dhe të rritin standartet e jetesës, për të shmangur emigrimin e detyruar.
Sipas tij, komunitetet fetare në Shqipëri po hasin vështirësi në marrjen e pronësive të trashëgimisë kulturore dhe në blerjen e pronave për të ndërtuar objekte kulti, edhe pse kuadri ligjor është i plotësuar, por sigurimi i aseteve dhe pronave do ta bënte të pamundur ndikimin e huaj malinj.