Tirana vuan për kënde lojërash, KLSH: Nuk plotësojnë kushtet

Saturday, 23 November 2019 16:22

Fëmijët në kryeqytet nuk kanë kënde lojërash për të luajtur. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditim ku ka rezultuar se një pjesë e konsiderueshme këndeve të lojërave nuk plotësojnë standardet më minimale dhe janë të amortizuara. Gjithashtu sipas KLSH-së, problem mbetet dendësia e fëmijëve për një kënd lojërash pasi rezulton që janë 4408 fëmijë që duhet të përdorin një kënd.

Tirana nuk ka kënde lojërash të mjaftueshme dhe një pjesë e tyre janë të amortizuara. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditim për “Parqet Rekreative në Tiranë -Këndet e Lojërave” pas të cilit janë konstatuar një sërë problemesh.

Në raport theksohet se prej vitit 2016 janë ndërtuar 26 kënde lojërash të rinj kryeqytet, por një pjesë e konsiderueshme nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret duhura. Gjithashtu në raport thuhet se janë evidentuar kënde lojërash ekzistues të cilat janë plotësisht të amortizuar dhe nga ana e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit nuk është marrë asnjë iniciativë për riparimin dhe kthimin e tyre në gjendje funksionale.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se nga Bashkia Tiranë nuk është miratuar një Plan Strategjik Institucional (3-5 vjeçar), i cili të përfshijë parqet rekreative, veçanërisht këndet e lojërave në Tiranë. Po ashtu theksohet se nuk ka një studim lidhur me identifikimin e hapësirave të përshtatshme për ngritjen e këndeve të lojërave, në raport me shpërndarjen e popullatës.

Madje shumë shqetësues është fakti se 32 kënde lojërash të përfunduar dhe në proces, kanë një dendësi mesatare prej 4.408 banore të moshës 0-14 vjeç që shfrytëzojnë një kënd. Nisur nga këto konstatime Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Bashkisë Tiranë të ndërmarrë të gjithë hapat e duhura për të hartuar dhe miratuar një Plan minimalisht 3-5 vjeçar sipas rregullores dhe përgjegjësive, si edhe të ngrejë një grup pune, me synim studimin e hapësirave publike, të cilat do të jenë në funksion të komunitetit. Po ashtu në raport theksohet se Bashkia Tiranë nuk ka një studim të mirëfilltë për hapësirën e parashikuar lidhur me parqet rekreative e veçanërisht për këndet e lojërave.

Plani i Përgjithshëm Vendor nuk parashikon asnjë specifikë lidhur me këndet e lojërave si dhe nuk ka të përcaktuar raportin e banorëve të qytetit të Tiranës për këndet e lojërave të planifikuar. Ndër të tjera në auditimin e kryer në dhjetor të vitit të kaluar KLSH thekson se këndet e lojërave nuk janë projektuar sipas një manuali standardesh të miratuara nga Bashkia Tiranë e madje manuali që Bashkia Tiranë aplikon për ndërtimin e këndeve të lojërave është një material i pa përkthyer, i pa miratuar dhe i papërshtatshëm.

Login to post comments