Aftësia e kufizuar prej datës 1 dhjetor do të vlerësohet përmes një sistemi të ri që do të garantojë më shumë transparencë.
Për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin, puna e komisioneve do të survejohet me kamera.
Manastirliu: Nga data 1 Dhjetor nis një vlerësim i ri i aftësisë së kufizuar në të gjithë qarkun Tiranë, i cili parashikon vlerësimin e gjendjes së personit me aftësi të kufizuar, sipas shkallës së rëndesës, në mënyrë që ai person që është në gjendje më të rëndë të përfitojë më shumë nga pagesa që jep shteti për aftësinë e kufizuar. Në këtë vlerësim të ri, për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar transparencë do të vendoset një sistem survejimi me kamera në intervistat e qytetarëve, të cilat do të jenë subject montorimi dhe vlerësimi në çdo kohë.
Hapja e 6 komisioneve multidisiplinore për vlerësimin e ri bio-psiko-social sipas Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu do të krijojë më shumë lehtësi për qytetarët.
Manastirliu: Kemi hequr kriterin e mospërfshirjes në vlerësim, të fëmijëve të grupmoshës 0-2 vjeç; pra sot në Tiranë do të përfshihen të gjithë fëmijët nga mosha 0-18 vjec. Kemi hequr kufizimin e pagesës prej 75% për fëmijët, i kemi kthyer këto pagesa në 100% duke shmangur kështu diferencimin për shkak të moshës si dhe duke patur parasysh që rreth 27% e përfituesve janë fëmijë 0-18 vjeç. Një tjetër risi e kësaj reforme është futja e konceptit të ndihmësit personal, i cili do të ofrojë asistencën për kujdesin personal për personin me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, hoqëm kufizimin ligjor të ndërprerjes së pagesës së aftësisë së kufizuar pas periudhës 4-vjeçare të punësimit.
Me buxhetin e ri 2020, pagesat e aftësisë së kufizuar do të financohen me 16.6 miliardë lekë, nga të cilat përfitojnë rreth 166 mijë përfitues.