Tërmeti në Shqipëri, korrupsioni dhe abuzivizmi pengojnë ndihmësit italianë: “Mungojnë edhe dokumentat kadastrale të pallateve të shembura.”

Diel, 01 December 2019 07:33

(Burimi: Il fatto quotidiano)
Në një vend që vazhdon të rritet, zjarrfikësit, mbrojtja civile dhe Kryqi i Kuq, të angazhuar në operacionet e shpëtimit, mbështeten në tregimet e të mbijetuarve për të mësuar rreth formimit të strukturave të shembura. Dhe në spitale ka emergjencë: "Nuk ka më vend, pacientët janë "parkuar” nëpër korridore”.
“Shto ujë, shto miell”. Për të përgatitur byrekun, pjatën e shijshme tipike të Shqipërisë dhe Ballkanit (secili vend pretendon se e përgatit atë më mirë se të tjerët, siç është bakllavaja e Lindjes së Mesme dhe kuskusi i Afrikës së Veriut), sasia e ujit dhe e miellit duhet të jetë e përcaktuar, më shumë ose më pak do të bënte vetëm dëme. Thënia shqiptare përkthen në mënyrë të përkryer kuptimin e përdorur në realizimin e shumicës së ndërtesave në Tokën e Shqiponjave pas rënies së komunizmit, duke filluar nga dhjetori 1990. Një popullsi e tërë ka lëvizur nga fshatrat dhe malet e veriut dhe jug-lindjes duke shkuar e zmadhuar periferitë e dy aglomerateve kryesore: Durrësi dhe porti i tij, sot për sot efikas, dhe mbi të gjitha kryeqyteti, Tirana.
Sot, qyteti i ka kaluar një milion banorët, ose një e treta e popullsisë shqiptare, një vend që shtrihet në 28 mijë kilometra katrorë (jo shumë më tepër se Siçilia). Që nga fillimi i viteve '90, territori i kryeqytetit u zgjerua në mënyrë eksponenciale, duke i dhënë hapësirë një periferie të çrregullt dhe obsesive, estetikisht të shëmtuar. Blloqe ndërtesash deri në pesëmbëdhjetë kate të larta, pa asnjë plan urbanizimi, të projektuar nga inxhinierë dhe arkitektë me prirje të cunguara drejt estetikës.
Të tjerët shtëpinë e kanë ndërtuar hap pas hapi, duke filluar nga rënia e atij muri ideologjik që në pragun e dekadës së tretë të viteve 2000 shumë tashmë pendohen. Merrni, për shembull, ndërtesën e shembur pak jashtë qendrës së Durrësit dhe e cila ka varrosur nëntë vetë (viktimat e fundit të 49 personave të vdekur deri më tani, u gjetën nga zjarrfikësit italianë Usar sonte). Ashtu si të gjitha ndërtesat e shkatërruara nga tronditja e orës 3:54 e së martës së kaluar, me magnitudë 6.4, ndërtimi është i kohëve të fundit dhe, mbi të gjitha, ka pësuar rregullime të rrezikshme. Ose më saktë, shtesa të pakujdesshme katesh: nga një në katër kalimi ishte i shkurtër, në secilën secilën soletë, shufrat e përforcimit të çimentos dilnin nga shtyllat, dëshmi kjo e ngritjes me qëllim për të akomoduar një bërthamë të re familjare. Në rastin e familjes Lala, të goditur nga një fat kaq i paimagjinueshëm, ajo mbërriti nga verilindja e Shqipërisë.
Të parat që ranë, nën peshën e katër kateve të betonit, ishin themelet që tërhoqën me vete të gjitha katet duke filluar nga garazhi. Përpjekjet për ndihmë kanë nxjerrë në pah të meta organizative impresionuese dhe sikur të mos kishte qenë për ndërhyrjen e Zjarrëfikësve, Mbrojtjes Civile dhe Kryqit të Kuq nga gjysma e Evropës Perëndimore, ka të ngjarë se do të ishte gërmuar me dorë ose me lopata mekanike pa asnjë kuptim: "Zakonisht, para se të fillohet një ndërhyrje për të rekuperuar njerëzit nën rrënoja - shpjegon një prej ndihmësave italianë i angazhuar prej tre ditësh në Durrës - teknikët tanë kontaktojnë ata të Komunave për të parë hartat kadastrale të ndërtesave të shembura. E gjithë kjo për të patur një ide se si është e ndërtuar shtëpia, ku mund të gjenden njerëzit, etj. Por ata u përgjigjën se nuk ka dokumente kadastrale që kanë të bëjnë me atë ndërtesë dhe për disa informacione duhej të mbështeteshim në dëshmitë e të mbijetuarit të vetëm të nxjerrë të martën pasdite. Ky ishte niveli!”.
Për të përmbledhur ndjenjat e popullit shqiptar, janë të rëndësishme fjalët e George Frendo, Presidentit të Konferencës Episkopale Shqiptare: "Ne flemë nga frika e zgjohemi nga frika, sepse dridhjet vazhdojnë. Shumë njerëz nuk guxojnë të flenë në shtëpi, shumë janë duke fjetur në makinat e tyre, ata që kanë makina, të tjerët kanë shkuar te të afërmit që jetojnë në veri të Shqipërisë. Një vend plotësisht i demoralizuar, një vend i zhytur në një krizë të pashembullt politike, i cili nuk u pranua si kandidat për të qenë pjesë, në një të ardhme të panjohur, të Bashkimit Evropian. Tani këto tërmete. Një notë pozitive është solidariteti i treguar nga vetë shqiptarët dhe nga shumë vende, përfshirë Italinë. Unë kam marrë dhjetëra e dhjetëra mesazhe dhe thirrje telefonike çdo ditë, nuk e di, ne nuk dimë se çfarë të bëjmë për të lehtësuar dhimbjen e njerëzve tanë”.
Sot të vdekurit janë duke u vajtuar, por tragjedia në zhvillim është shembulli klasik i ndërtimit pa kriter dhe pa kontrolle. Dy hotelet që u rrëzuan në lokalitetin Golem, përgjatë bregdetit në jug të Durrësit, një zonë me dendësi të lartë turistike, Villa Palma dhe Miramare, ishin gjysmë të zbrazët: "Viktimat do të ishin dhjetëra në mes të verës. Unë e di historinë e atyre hoteleve, veçanërisht të Villa Palma, spekulimet pas saj, vullnetin me çdo kusht të pronarëve për ta kthyer një ndërtesë banimi normale "të lehtë" në një hotel të madh, jashtë rregullave. Askush nuk e ka kontrolluar, askush nuk ka vënë veton dhe pasojat janë të dhimbshme ”, thotë Irvi Hyka, me një të kaluar të gjatë edhe në Itali, ekspert kontabël dhe profesor në Universitetin e Durrësit. Vendi i tij e njeh atë shumë mirë: "Tërmeti ishte i fortë, veçanërisht tërmeti natën e së martës - shton ai - por në fund, vetëm pak ndërtesa u shembën, ku secila prej tyre kishte familje të tëra brenda. Në këtë kuptim, ishte një masakër familjesh. Shqipëria është një vend i çuditshëm që ka marrë si të mirën, ashtu dhe të keqen nga Italia, për shembull për sa i përket korrupsionit dhe kaosit politik, por pastaj ne kemi kopjuar tekstin tuaj kushtetues njësoj siç e keni dhe ju, megjithëse nuk është zbatuar ashtu. Tani vendi është goditur, por shumë shpejt do të harrojë, pa pësuar ndryshime në brendinë e tij. Një valë e re migracioni po përgatitet. Këtë herë, të rinjtë më të arsimuar do të largohen dhe destinacioni i preferuar nuk është më Italia, por Gjermania. Unë ju jap këtë informacion, në shkollën e mjekësisë në Durrës 97% e studentëve janë regjistruar në një kurs gjermanishteje. Në Shqipëri do të mbeten vetëm politikanët dhe njerëzit më të varfër, e jo më të flasim për hyrje në Evropë”.
Tërmeti fizik, midis tronditjeve të shtatorit dhe atyre të ditëve të kaluara (në realitet ata ndjekin njëri-tjetrin në mënyrë të përsëritur në rrjedhën klasike të zhurmës sizmike) ka errësuar, për një moment, rreziqet e një tërmeti politik. Protestat e së djathtës, që lanë Parlamentin, e bashkë me të një vrimë institucionale brenda vendit. Një e djathtë popullore, e ngritur mbi përvojën e Sali Berishës, për njëzet vjet (nga 1992 deri në 2013) kryeministër dhe president i Republikës, tani e errësuar nga një e majtë socialiste dhe post-komuniste që nuk është më e majtë. Ajo çka shqetësoi kryeministrin Edi Rama, më shumë se e djathta, ishin protestat e organizuara nga studentët para një viti.
Shqipëria është një vend i ri, me një moshë mesatare shumë të ulët, të pashtershme dhe, pavarësisht gjithçkaje, në një rritje të dukshme ekonomike. Pikërisht ky lulëzim i mundësive të supozuara ka tërhequr shumë italianë në kërkim të marrëveshjes së duhur dhe mundësisë për të ndryshuar gjendjen e tyre për më mirë: "Le t’i sheshojmë keqkuptimet, ky nuk është vendi i ri i Bengodit ku bën para lehtësisht dhe me përpjekje minimale. Kush ka vullnet të mirë dhe parime të shëndosha duhet të dijë që puna nuk mungon, por duhet të nisni në majë të këmbëve dhe t’i bëni gjërat gradualisht. Përndryshe, rruga është ajo e gjërave të pista. “Kur arrita këtu fillova të punoja në një call center, pastaj u bëra administrator dhe tani kam kompaninë time të marketingut dhe komunikimit". Paolo Picci, para se të linte Bel Paese-n për t'u shpërngulur në Tiranë, mori pjesë dhe më pas u martua me një vajzë shqiptare të njohur në Itali dhe në vitin 2013 u transferua në Shqipëri: "Miti i Shqipërisë si një tokë e mundësive të lira është i gabuar dhe mua më bezdis - shton Picci - Shumë bashkëkombas kanë hyrë me këtë qëndrim dhe e kanë paguar. Një shembull përfaqësues, kanali televiziv Agon Channel, i marrë nga një sipërmarrës italian (Francesco Becchetti) në verën e vitit 2015, u mbyll pesëmbëdhjetë muaj më vonë. Italianë, duhet të kuptoni që Shqipëria është një vend kompleks, ku nuk ka struktura sociale, bashkim, “gjykatës paqeje” për mosmarrëveshjet e vogla, dhe kontratat janë të paqëndrueshme! Shëndeti është një privilegj për pak veta, nëse keni nevojë për një shtrat spitali dhe kujdes cilësor duhet të paguani dhe jo të gjithë mund ta përballojnë atë. Por është gjithashtu një vend mikpritës, i sigurt, ku vandalizmi dhe krimi i imët nuk ekzistojnë, edhe pse mungon respekti ndaj publikut, nga mbeturinat që hidhen, tek parkimi. Në 13 vjet kam parë që Shqipëria të ndryshojë rrënjësisht nivelin e infrastrukturës, të ndërtohen rrugë të reja, janë krijuar porte dhe aeroporte të reja (Korça dhe Vlora) dhe kanë në plan të forcojnë rrjetin e dobët hekurudhor falë interesit të kinezëve".
Meqë ra fjala tek shëndetësia, spitali rajonal i Durrësit pothuaj u evakuua pas tronditjes së pasdites së djeshme dhe shembjeve të krahut perëndimor që strehonte, ndër të tjera, dhomën e urgjencës: "Ne duhej të transferonim pacientët më seriozë në Tiranë, të tjerët janë “parkuar” nëpër korridore e rrugë, duhet të përshtatemi - shpjegon Vladimir Laro, kirurg me origjinë nga Gjirokastra, gjatë inspektimit - Disa, ato më pak seriozët, janë nxjerrë jashtë spitalit për shkak të nevojës për hapësirë. Puna në këto kushte nuk është e lehtë, madje sistemi ishte i komplikuar që më përpara. Le të shohim se çfarë do të ndodhë në këtë spital”.
Ne po ëndërrojmë për vepra të reja infrastrukturore, por ndërkohë për të shkuar nga Tirana në veri, në Shkodër dhe deri në Mal të Zi, ka vetëm një rrugë me një korsi në secilin drejtim, të ngjashme me një nga rrugët tona provinciale. Në shtrirjen pikërisht jashtë Tiranës, midis Kamzës dhe Fushë-Krujës, rreth njëzet kilometra, në anët e rrugës ka magazina dhe dyqane që shesin vetëm dhe ekskluzivisht mobilje. Blerimi, një sipërmarrës lokal, pronar i dy kafeneve, na shoqëron nga Tirana në Lezhë dhe na thotë: "Po, ka vetëm mobilje, por ato kompani bëjnë gjëra të tjera, ato mbulojnë biznese të ndryshme. Në fund të fundit, në Shqipëri është e gjitha një mafie dhe politika e përdor atë për të bërë biznes dhe për të lënë njerëzit e shkretë të vdesin. Shihni tërmetin, qeveria i ka lënë bashkëkombasit tanë të vdesin, nuk i ka mbrojtur ata dhe tani duhet të kërkojmë nga të gjithë ndihmë, përfshirë nga ju italianët, të vini dhe të gërmoni në rrënoja. Do të bëhet gjithmonë e më keq!”
Shqipëria është në zi kombëtar dhe në një gjendje emergjente post-tërmet për një periudhë të pacaktuar. Ndërkohë, ka nisur kujtesa dhe përcjellja e viktimave për në banesën e fundit. Në mëngjes, në sallën e qytetit, u ngrit shtëpia e varrimit, një vigjilje funerali për të përkujtuar tre breza të grave të familjes Karanxha: Rozeta 59, Diena 30 dhe Esiela, vetëm 8 vjeç. Më pas do të jetë radha e familjes Reçi, ajo e të dashurës së djalit të kryeministrit Edi Rama. Dje, më 28 Nëntor, Republika e Shqipërisë festoi pavarësinë nga sundimi Osman, të marrë në vitin 1912, dhe ngritjen e flamurit kombëtar, të ngritur për herë të parë në Krujë në 1443 nga heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Përkujtesa historike dhe zi, të cilat përzihen sëbashku.

Login to post comments