Nga Lëvizja Vetëvendosje
Kombi shqiptar ka humbur 51 qytetarë nga tërmeti i 26 nëntorit. Dhimbja është e madhe.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri shpreh edhe një herë ngushëllimet më të thella për të gjithë familjarët e viktimave e për krejt kombin që ka bashkëndjerë me familjarët shuarjen e beftë të këtyre jetëve. Njëkohësisht urojmë për shërimin sa më të shpejtë të të gjithë atyre që janë ende duke marrë trajtim mjekësor.
E vetmja gjë që e ka lehtësuar sadopak dhimbjen ka qenë solidariteti i qytetarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut e më gjerë në trevat shqiptare dhe në mërgatë, që nuk janë kursyer për të ndihmuar të mbijetuarit në të gjitha mënyrat e mundshme. Në këto ditë tejet të vështira dhimbjen e kemi përballuar bashkë si komb, dhe jemi falenderues edhe për gjithë ndihmën që kanë dhënë e po japin shtetet e tjera në këtë situatë.
Raportimet e rregullta ditore për totalin e dëmeve dhe të njerëzve të prekur kanë nisur vetëm disa ditë pas tërmetit, dhe shifrat kanë ardhur duke u rritur nga dita në ditë. Në ditën e 8-të pas tërmetit, autoritetet kanë raportuar se në territorin e Republikës së Shqipërisë ka rreth 13,000 qytetarë të zhvendosur nga banesat e tyre që po jetojnë në hotele, palestra, çadra dhe banesa sociale.
Ky numër është sigurisht më i madh kur merret parasysh se shumë të tjerë janë transferuar për të banuar përkohësisht tek të afërmit e tyre, ose në familje që kanë hapur dyert në Shqipëri e Kosovë për të mbijetuarit, si edhe në kampe si ai i Prizrenit. Shifra totale zyrtare e atyre që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre mbetet ende e panjohur, megjithatë këto fakte mjaftojnë për të dëshmuar se Shqipëria është ende në mesin e një krize humanitare.
Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri janë angazhuar që në orët e para pas tërmetit në vizita në zonat e dëmtuara për të evidentuar dëmet dhe nevojat humanitare. Jemi përpjekur t’u japim qytetareve dhe autoriteteve gjithë ndihmën tonë, qoftë përmes informacionit publik mbi nevojat, qoftë përmes bashkërendimit, grumbullimit dhe transportit të ndihmave nga Shqipëria dhe Kosova.
Pas këtij reagimi të parë, mbetemi të bindur se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë të vdekurve dhe kontributin që mund të japim për të mbijetuarit, krahas solidaritetit, është shpalosja e së vërtetës mbi ngjarjen.
Nga angazhimi ynë, kemi konstatuar se autoritetet kanë qenë tejet të papërgatitura për nevojat e një emergjence të tillë, dhe se në fillimet e përgjigjes shtetërore ndaj kësaj emergjence ka mbizotëruar kaosi.
Të njëjtën gjendje kaosi e kanë konstatuar edhe organizata të tjera të shoqërisë civile, gazetarë dhe personalitete të ndryshme, si dhe në mënyrë diplomatike këtë konstatim e ka shprehur publikisht edhe Drejtuesi i Ekipit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Peter Glerum, në konferencën e datës 2 dhjetor në Tiranë, ku deklaroi se “Sigurisht në një katastrofë të tillë pati një situatë pak kaotike në fillim”.
E vërteta është se pa asnjë arsye, u desh të kalonin më shumë se 24 orë që Qeveria të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme si gjendje e fatkeqësisë natyrore për zonat e prekura nga tërmeti. Vullneti për të ndihmuar njerëzit në nevojë nuk u ka munguar aspak forcave të ndryshme të policisë, zjarrfikësve dhe pjesëtarëve të ushtrisë, që vunë dhe veten në rrezik për të shpëtuar njerëzit nën rrënoja.
Atyre u kanë munguar mjetet bazë dhe aparaturat e domosdoshme për t’u përballur me një situatë të tillë, u ka munguar ushqimi i përshtatshëm për përballimin e turneve të tejzgjatura të shërbimit dhe u mungoi koordinimi i mirë nga lart, nga vendimmarrësit që në këto raste mbajnë përgjegjësinë kryesore.
Që prej vitit 2016, buxheti për emergjencat civile kishte rënë në 144.9 milionë lekë nga 779 milionë lekë. Financimet për emergjencat civile kanë ardhur në ulje nga viti në vit, bashkë me fondin e kontingjencës që përdoret për dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara. Në vitin 2019, buxheti kishte rënë në rreth 130 milionë lekë.
Pas tërmetit në shtator 2019, qeveria e rriti këtë fond përmes një akti normativ që e çoi deri në 643 milionë lekë. Por para tërmetit të 26 nëntorit, Qeveria kishte projektuar për vitin 2020 sërish shkurtime deri në përgjysmimin e këtij fondi. Pas tërmetit të fundit, Qeveria po e ndryshon sërish këtë fond duke e rritur në kurriz të shkurtimit të shërbimeve dhe investimeve të tjera publike.
Është e dukshme se vëmendja nuk ka qenë aspak e përqendruar te parandalimi dhe përgatitja paraprake, që është jetike në rastet të tilla, por te reagimi i vonuar pas dëmeve.
Gjithë kjo situatë nuk është thjesht çështje keq-menaxhimi, por produkt i sistemit neoliberal ekonomiko-politik të instaluar prej kohësh në Shqipëri.
Nga njëra anë, ky sistem ka funksionuar përmes privatizimeve të egra dhe PPP-ve, që i kanë dobësuar shërbimet publike dhe kanë rritur skajshmërisht pabarazinë dhe varfërinë në një Shqipëri që vuante shumë edhe para tërmetit. Nga ana tjetër, ky sistem e ka dërrmuar shtetin e mirëqenies sociale në Shqipëri, i ka rrënuar kapacitetet e shtetit për t’i dhënë qytetarëve siguri dhe për të realizuar mbrotjen e duhur sociale ndaj atyre që janë më në nevojë. Kujtojmë se sot e kësaj dite 9 familje ende jetojnë në çadra në zonën e Belshit, pas tërmetit të shtatorit.
Ndërsa në Thumanë, familjet e viktimave kanë dëshmuar publikisht se në disa objekte që ishin konstatuar si të pabanueshme pas tërmetit të shtatorit, autoritetet lejuan megjithatë rikthimin e qytetarëve, duke i çuar drejt vdekjes në tërmetin e fundit. I njëjti sistem është përgjegjës për mungesën e kontrollit të kushteve teknike dhe statike të ndërtimeve në Shqipëri.
Ajo çka e përkeqëson situatën është fakti se organet e shtetit kanë abuzuar me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për të shënjestruar disa media dhe qytetarë që kanë qenë kritikë ndaj qeverisë dhe kaosit të krijuar.
Mediat mbajnë përgjegjësi për të bërë një raportim të saktë bazuar mbi informacionin e verifikuar, por ato nuk mund të akuzohen “en block”, pasi një qasje e tillë e dëmton demokracinë dhe bie ndesh me të drejtat e njeriut, duke rritur autoritarizmin në një shtet të konsideruar si të kapur edhe në raporte ndërkombëtare, si ato të BE-së. Gjendja e emergjencës nuk mund të përdoret për të shuar kritikën dhe elementet bazë të demokracisë.
Është e qartë se vdekjet dhe vuajtjet nuk janë faj vetëm i tërmetit. Për to mbajnë përgjegjësi direkte dhe indirekte, penale dhe politike, zyrtarë të shtetit dhe bashkëpunëtorë të tyre nga sektori i ndërtimit.
Drejtësia është po aq e rëndësishme sa solidariteti për mijëra qytetarë që ende vuajnë. Duhet domosdoshmërisht të nxjerrim mësime nga këto vuajtje të përbashkëta. Na nevojitet sot më shumë se kurrë të vazhdojmë të jemi solidarë me njerëzit në nevojë, të kërkojmë me ngulm drejtësi dhe të angazhohemi drejt ndryshimeve rrënjësore të modelit ekonomiko-politik në Shqipëri, për një shtet të së drejtës dhe të mirëqenies sociale.
Tiranë, 5 dhjetor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri