Një “X” në hyrje të ndërtesës ka qenë mënyra sesi këtyre banorëve iu është komunikuar nëse godina ku jetojnë është apo jo e jetueshme pas inspektimit nga inxhinierët. Pavarësisht këmbënguljes së qytetarëve për të pasur akt-konstatimi mbi gjendjen e ndërtesës, në këtë rast ai nuk u lëshua.
E njëjta metodologji duket se është ndjekur dhe gjatë shumë inspektimeve për dëmet e tërmetin e 21 shtatorit, konstatim thjesht verbal, si në rastin e kësaj familje në Hamallaj.
“Edhe inxhinierin e parë dhe atë të dytin do t’i kisha hedhur në gjyq, sepse muret e shtëpisë u çanë, çatia u dëmtua më shumë nga tërmeti i kësaj radhe. Si mund të thotë ai për këtë shtëpi që është e riparueshme?”, u shpreh banorja, banesa e së cilës është dëmtuar nga tërmeti.
Por ajo që duhej të kishte ndodhur është kjo. Gjatë inspektimit të ndërtesave në Lezhë, vetë kryetari i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu firmos akt-konstatimet, të domosdoshme para se banorët të nxirren jashtë apo lejohen të jetojnë në shtëpitë e tyre.
“Unë nuk e di sepse nuk kam vajtur që të inspektoj, por në Laç i kam lëshuar të gjitha akt-ekspertimet, po lëshohen dhe në Lezhë. Në Tiranë, Durrës dhe Vorë njerëzit po i lëshojnë këto akt-ekspertime”, u shpreh Hysenlliu.
Vetëm në 15 minuta në Lezhë, 3 pallate u shpallën të pabanueshëm.
“Lagjia “Besëlidhja” është problem. Pallatet me tulla më shumë, pasi kanë pësuar dëmtime dhe në 1979, në shtator dhe tani”, tha Ndreu.
Banesat e shpallura të pabanueshme nga grupet supervizimit janë me qindra. Banorët në Durrës, Tiranë, Krujë dhe Shijak janë dërguar nëpër hotele.