Inxhinierët shqiptaro-amerikanë: Disa shkolla kanë dëmtime në strukturë

Diel, 08 December 2019 14:58

Gjashtë të rinj, pjesë e shoqatës shqiptaro-amerikane e arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Ministrisë së Diasporës për të qenë pjesë e ekipeve të monitorimit në terren për verifikimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit në Shqipëri.

Pas një jave inspektimi në shkollat publike në zonën e Durrësit dhe Tiranës, ata arritën në përfundimin se  objektet e verifikuara rezultojnë me dëme strukturore.

‘Pak shkolla janë për t’u rindërtuar, shumica e shkollave janë me dëme strukturore që variojnë nga dëme minimale deri tek ato të thella strukturore që kanë nevojë për ndërhyrje dhe disa nga shkollat janë të sigurta për t’i përdorur’, thotë inxhinieri Sokol Hoda.

Pavarësisht këtij konstatimi, ata thonë se autoritetet duhet të mbajnë nën vëzhgim edhe ato shkolla që për momentin nuk përbëjnë rrezik.

‘Po nuk është e thënë që edhe ato shkolla që kanë pak dëmtime të mos dëmtohen në të ardhmen sepse ka pas lëkundje të shpeshta. Çdo shkollë duhet mbajtur nën vëzhgim të theksuar sepse lëkundjet e vazhdueshme krijojnë dëme që akoma nuk duken. Më shumë dëme kemi parë në shkolla pas goditjes së 26 Nëntorit’.

Login to post comments