Shënohet gjashtë mujori i fillimit të demonstratave në Hong Kong

Diel, 08 December 2019 21:30

Mijëra njerëz u mblodhën sot në rrugët e Hong Kongut, për t’iu bashkuar marshimit që shënoi gjashtë mujorin e demonstratave masive kundër propozimit të qeverisë që do të mundësonte dërgimin në Kinë për gjykim, të personave që dyshohen për krime. Tani që ky propozim është hedhur poshtë nga qeveria e qytetit gjysmë-autonom, protestat vazhdojnë me kërkesën për më shumë liri dhe të drejta.

Një grup i madh njerëzish u mblodhën në parkun Viktoria prej ku filloi marshimi deri në qendër të Hong Kongut.

Me thirrjet “luftë për liri” dhe “qëndro për Hong Kongun”, protestuesit krijuan një rresht të gjatë në zonën tregtare të qytetit.

“Në gjashtë muajt e fundit, kemi përjetuar abuzim dhe forcë policore. Qeveria e Hong Kongut nuk dha përgjigje, nuk e dëgjoi popullin, zërin tonë. Prandaj duhet të qëndrojnë të fortë dhe të luftojmë për liritë dhe të drejtat që duhet t’i kemi”, tha Nick, një protestues.

Policia e Hong Kongut miratoi lejen për demonstratën, gjë që rriti numrin e pjesëmarrësve.

“Po, kam shpresë për Hong Kongun. Shikoni njerëzit, ata nuk duan të dorëzohen. Besoj se duhet të kemi shpresë”, tha Chan, një protestues tjetër.

Tubimi u cilësua nga Fronti për të Drejtat Civile Njerëzore, si grupimi më i madh i organizuar që kur qindra mijëra protestues marshuan për herë të parë më 9 qershor.

Ndryshe nga atëherë, kur kërkohej anulimi i propozimit të projektligjit që mundësonte ekstradimin në Kinë të të dyshuarve për krime, sot demonstruesit kërkojnë zgjedhje demokratike dhe hetim për atë që protestuesit e quajnë përdorim të tepruar të forcës kundër tyre. VOA

Login to post comments