Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati deklaron për Zërin e Amerikës se viti 2019 ishte një vit i mbrapshtë dhe shpreson që 2020 të jetë viti i reflektimit.
Bushati tha se edhe zgjedhjet e 30 qershorit ishin “një e keqe” në vitin 2019, ndërsa theksoi se në vitin e ardhshëm duhet ndërtuar një kulturë e re politike, përfshi maxhorancën që ka peshën më të madhe të bashkëpunimit.
“Ne jemi në fazën e një diskutimi në Kuvend, por në finale ka mbizotëruar një sens më racional duke marrë parasysh propozimet e BE-së dhe OSBE-së. Sepse Shqipëria ka marrë kryesimin e Presidencës së OSBE-së dhe liria e medias është një nga shtyllat kryesore të kësaj organizate.
2019 ishte një vit i mbrapshtë. Nisi me djegien e mandateve, më pas zgjedhjet e 30 qershorit, tërmetet që prekën vendin.
Uroj që 2020 të jetë jo thjeshtë viti i reflektimit, por edhe bashkëpunimit, për ti dhënë jetë reformës në drejtësi. Qëllimi i saj nuk ishte thjeshtë spastrimi i atyre personave të papërshtatshëm për drejtësinë.
Ne duhet të ndërtojmë një proces dhe një kulturë të re politike, ku ne si maxhorancë kemi peshën tonë për të shtrirë dorën e bashkëpunimit”, tha Bushati.