Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendos mesditën e sotme për transferimin e prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët nuk kanë aplikuar apo kualifikuar për SPAK, në prokurori të tjera të juridiksionit të përgjithshëm.
Ndër prokurorët që pritet t’u ndërpritet caktimi i përkohshëm është edhe Donika Prela, drejtuesja aktuale e Krimeve të Rënda, e cila u vendos në mënyrë të kundërligjshme, në krye të kësaj strukture, nga mikesha e saj, ish-Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku.
Si rregull, Donika Prela duhet të rikthehet në Prokurorinë e Durrësit, ku ka emërimin zyrtar si prokurore e thjeshtë. por, burime nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëjnë me dije për “Boldnews.al” se Prela mund të caktohet përkohësisht në Prokurorinë e Tiranës.
Nëse do të vërtetohen deklarimet e burimeve të brendshme, atërehë do të vërtetohet se Këshilli i Lartë i Prokurorisë po i bën një “qokë” Donika Prelës, e cila u angazhua maksimalisht në krye të Krimeve të Rënda për të bllokuar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe të “Rilindjes”.
Donika Prela u caktua si drejtuese e përkohshme e Krimeve të Rënda në Maj 2019, pasi Arta Marku, me një lëvizje pa asnjë bazë ligjore, largoi nga detyra drejtuesin e emëruar.
Më parë, Arta Marku, po me një vendim pa bazë ligjore, e kishte emëruar Prelën si drejtuese të Prokurorisë së Durrësit, duke larguar nga detyra po ashtu një drejtues të emëruar.
Prela, në krye të Prokurorisë së Durrësit, u “angazhua” maksimalisht për të zhvilluar hetimet ndaj atyre që konsideroheshin si “kundërshtarë” të Arta Markut.
Ndërkohë, prokuroria e Durrësit, nën drejtimin e Prelës, vendosi të pushojë hetimet për ish-Kryeprokuroren e Përkohshme dhe Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të cilat lejuan ekstradimin e paligjshëm të Nazer Seitaj, të konsideruar si “financieri i Habilajve”.
Ndërsa, në krye të Krimeve të Rënda, Donika Prela konsiderohet si përgjegjëse për bllokimin e dosjeve delikate, “339” dhe “184”, në të cilat janë zbuluar lidhjet e zyrtarëve të lartë të maxhorancës socialiste me eksponentë të krimit të organizuar.
Gjithashtu, Donika Prela konsiderohet si përgjegjëse për devijimin e hetimeve të çështjes “Geron”. Në këtë rast, vartësit e saj nuk kryen asnjë hetim për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por zhvilluan veprime proceduriale dhe penalizuan personat që denoncuan apo i dhanë zë akuzave publike për lidhjet e Agron (Geron) Xhafaj me trafikun e narkotikëve.
Pas këtyre ‘shërbimeve”, Donika Prela shpreson që të emërohet në Prokurorinë e Tiranës, pasi duket se është lodhur me “periferinë” e Durrësit.