“Nuk kam ku të shkoj. Jam vetë i shtati. Nuk kam ku të shkoj, shtëpitë gjithandej janë 300-400 mijë lekë.”
Familja Driza më herët ka banuar në këtë pallat në zonën e Kombinatit, që pas tërmetit të 26 nëntorit është shpallur i pabanueshëm nga ana e institutit të ndërtimit.
Në banesën me 3 dhoma dhe 1 kuzhinë nuk ka mbetur më asgjë, por më herët kanë jetuar 7 persona, të cilët kanë përfituar 18 mijë lek të reja bonus qeraje.
“Ne kemi përfituar 18.000 lekë. Akoma nuk kemi marrë gjë.”
Shifra sipas tyre është e pamjaftueshme, ndërsa shprehen se janë penalizuar prej faktit se nuk janë në të njëjtën certifikatë familjare.
Dëmet e tërmetit të 21 shatorit, i kanë riparuar vet, teksa thonë se do të riparonin dhe këto nëse, autoritetet do të thonin se pallati nuk do të shembet.
“Edhe tani të na thonë futuni brenda i bëj riparimet vetë.”
Nga pasiguria që kanë për të ardhmen, mendojnë më të keqen.
“Unë shtëpinë time nuk e lëshoj për asgjë. Më mirë të më zërë brenda. Është rruga më e mirë e zgjidhjes.”
Pallati 135 është ndërtuar rreth viteve 1960 me puna vullnetare, ndërsa për shkak të tërmetit u shpall i pabanueshëm, duke lënë të pastrehë më shumë se 15 familje.