Gjykata e Tiranës dënoi dje me 1 vit burg ish-deputetin, Ervin Salianji me akuzën “kallëzim i rremë” për dosjen dosjen “Babale”. Për të njëjtën akuzë, gjykata ka vendosur dënimin me 2 vjet burg për Fredi Alizotin.
Ndërkohë Albert Veliu është dënuar me 10 muaj burg për kalim kufiri dhe 2 vite e 10 muaj burg për kallëzim të rremë. Në total 3 vjet e 5 muaj burg.
Sakaq gazetari Jetmir Olldashi është dënuar për “kallëzim të rremë” me 6 muaj burg, e cila do të konvertohet me 100 orë punë, pasi Gjykata pranoi kërkesën për pranimin e shërbimit të provës.
Gjykata konstatoi që të akuzuarit duhet të dënohen për veprat penale që akuzohen, kryesisht kallëzim i rremë. Rrethanë lehtësuese përfitoi Fredi Alizoti si bashkëpunëtor i drejtësisë, pasi është paraqitur vetë dhe ka treguar ngjarjen.
Lidhur me vendimin për dënimin e gazetarit Olldashi ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
“Dënimi i gazetarit investigativ Jetmir Olldashi, një vendim tjetër politik kriminal i Edvin Kristaq Xhelatit!
Të dashur miq, dje Edvin Kristaq Xhelati, në një akt hakmarrje të verbër urdhëroi anti-gjykatësin, anëtarin famëzi të bandës së Aldo Bares, Gjermeni të dënojë në kundërshtim me Kushtetutën dhe çdo ligj gazetarin Investigativ Jetmir Olldashi.
Dënimi me urdhër të Edvin Kristaq Xhelatit i Jetmir Olldashit, gazetarit trim dhe guximtar që hetoi dhe faktoi veprimtarinë kriminale të klanit mafioz të pushtetit Agron dhe Fatzi dhe lidhjet e tij me klanin supermafioz të kreut të meduzës, është një akt stalinist diktatorial i pashembullt në 30 vitet e fundit në Shqipëri dhe në Europë.
Ky akt kriminal politik, dëshmi e vendosjes të diktaturës të narkomafies në Shqipëri është një goditje asgjësuese për gazetarinë investigative dhe transparencën në Shqipëri.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë vendim kriminal dhe mafioz ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të ngrihen në lartësitë e idealeve të lirisë dhe të përmbysin diktaturën e Edvin Kristaq Xhellatit dhe narkoqevetisë së tij”, shprehet ish-kryeministri Sali Berisha.