Policia e Fierit bëri të ditur se ka ndaluar tre të rinj, në kuadër të një aksioni kundër personave me rrezikshmëri të lartë.
Të rinjtë po lëviznin me një mjet luksoz të blinduar. Por gjatë aksionit u sekuestruan dy pistoleta dhe dy mjete prerëse.
Këta 3 persona sipas policisë janë me precedent penalë në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe armëmbajtjes pa leje.
NJOFTIMI
Policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:
•Sh. K., 33 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;
•A. B., 35 vjeç, banues në Fier;
•R. L., 20 vjeç, banues në Fier;
Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e DVP Fier, në fshatin Çlirim, Fier, në mjetin e blinduar Audi A8, i cili drejtohej nga shtetasi R. L., poshtë sediljes së parë të pasagjerit, ku ishte ulur shtetasi Sh. K., u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 2 krehëra me 24 fishekë.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit R. L. iu gjet dhe sekuestrua një mjet prerës (thikë), që e kishte në çantën e dorës.
Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit A. B., u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë).
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 pistoleta, 2 krehëra me 24 fishekë, 2 mjetet prerëse dhe automjeti i blinduar Audi A8.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.