“Askush sikur Rama” / Të gjithë faktorët në Kosovë kundër kryeministrit

Saturday, 21 December 2019 20:58

Përtej shigjetimeve të Edi Ramës për ata që e krahasojnë me Esad Pashën, apo ironive të tij me patriotët e Facebook-ut që e kanë masakruar në rrjetet sociale nismën e kryeministrit Shqiptar për tu ulur përkrah Serbisë dhe pa Kosovë në tryezën ballkanike, ajo që ka ndodhur prej disa kohësh është një ngjarje e pa parë më parë.

Edi Rama është shndërruar në të parin lider të “dheut amë” që ka kthyer kundër vetes të gjithë faktorët politikë në Kosovë. Duke thyer një rregull të vendosur prej atij vetë, që mos i shajë bashkëkombasit e tij në krah të të huajve, duke e kaluar cakun dhe duke shpallur se Prishtina është futur në rrugë qore Rama ka arritur të krijojë një konsensus të paparë kundër tij.

Po të qëmtohen me kujdes edhe fjalët që tha këtë të shtunë gjatë samitit të mini Shengenit Ballkanik, ai e ka pranuar vetë këtë realitet.

Nëse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se nuk do të vinte në këtë samit pasi Serbia nuk e njeh genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve, Rama ironizoi ata që deri para pak kohësh hanin e pinin në tryeza me liderët e Beogradit.

Nëse kryeministri Ramush Haredinaj e cilësoi mini Shengenin një nismë që ka vetëm një qëllim, heqjen e taksës 100% ndaj produketeve serbe, Rama tha se ai është gënjeshtar dhe i paditur.

Nëse kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe Vetëvendosja organizuan protesta kundër Vuçiçit në Tiranë, Rama i talli si neo marksistë që kërkojnë vendosjen e masave proteksioniste duke huazuar grandomaninë e vendeve si Kina dhe ShBA.

Pra shkurt kryeministri ka aplikuar formulën që zbaton edhe brenda Shqipërisë: të gjithë e kanë gabim dhe vetëm ai e ka të drejtë.

Kjo qasje prej autokrati delirant ka ngjallur edhe shpërthimin kudër tij në rrejete sociale.

Sepse para se të besojnë njeri që predikon se e gjithë bota përveç tij e ka gabim, sepse para se të dëgjojnë se Kosova është futur në rrugë qore, se po vetëizolohet, se liderët e sja po e përdorin të ardhmen për politikën e ditës, ata që e shohin Ramën me dyshim kanë të drejtë të ngrejnë pyetjen: po mirë vërtet edhe Hashimi, edhe Ramushi edhe Albini po gabojnë.

Dhe pas kësaj ata janë në të drejtën e tyre të ngrejnë edhe një dilemë tjetër: A mos është më mirë formula që propozon Albin Kurti, se shqiptarët përpara se të bien dakord me Vuçiçin apo Gjukanoviçin, duhet të merren vesh me njëjri tjetrin?

Rama se ka përfillur këtë formulë. Ai ka hecur përpara me Beogradin, Shkupin e Podgoricën pa u marrë vesh me Prishtinën. Dhe pikërisht kjo e ka vënë përballë fortunën me të cilën po përballet sot.

©Lapsi.al

Login to post comments