Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në drekën e Krishtlindjes të shtruar në Famullinë “Zoja e Ngritur në Qiell” për familjet e prekura nga tërmeti në Mamurras.
Në praninë e Kryeipeshkvit Metropolitan Tiranë-Durrës Imzot George Frendo, primarit të famullisë Dom Altin Shabani dhe murgeshave që shërbejnë në këtë zonë që prej vitit 1992, Presidenti Meta iu drejtua familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, duke theksuar se:
“Në këtë ditë të bekuar të Krishtlindjes, duhet të jemi në radhë të parë më pranë atyre që kanë nevojë për më shumë kujdes, dashuri dhe përfshirje sociale. Këto Krishlindje na gjetën në vështirësi për shkak të pasojave që la tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe ju e ndjetë edhe më fort se sa shumë zona të tjera, dhe për fat të keq patët më shumë dëme e humbje.
Megjithatë është një moment për të shpresuar, për të gëzuar, për të punuar të gjithë së bashku në mënyrë që Krishtlindjet e tjera t’i kremtojmë si gjithmonë nën një atmosferë festive dhe gjithëpërfshirëse!
Edhe një herë faleminderit Imzot Frendos për ftesën e tij! Ju uroj gëzuar këto Krishtlindje dhe Vitin e Ri! Le të jenë një ogur i mirë për ju si dhe për të gjithë vendin tonë!”.
Pas festës së Krishtlindjeve presidenti Meta ka postuar këtë mesazh në facebook:
Me kënaqësi të veçantë mora pjesë sot në drekën e Krishtlindjes të shtruar në Famullinë “Zoja e Ngritur në Qiell” për familjet e prekura nga tërmeti në Mamurras, për të ndarë me ta urimet më të ngrohta e të përzemërta në këtë Ditë të Bekuar.
Në këto momente të vështira, kur pasojat e rënda që la pas tërmeti tragjik ende nuk janë tejkaluar, duhet të jemi në radhë të parë më pranë atyre që kanë nevojë për më shumë kujdes, dashuri dhe përfshirje sociale, për t’u dhënë shpresë, kurajo dhe gëzim, për të punuar të gjithë së bashku në mënyrë që Krishtlindjet e tjera t’i kremtojmë si gjithmonë nën një atmosferë festive dhe gjithëpërfshirëse.
Falenderoj Kryeipeshkvin Metropolitan Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo që më ftoi për të kaluar disa çaste të paharruara gëzimi me këto familje të dashura.