Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka folur rreth takimit që pati disa ditë më parë me djalin e Xhorxh Soros, Aleksandër Soros.
I ftuar në “360 Gradë”, Presidenti Meta tha se kishte qenë një takim i kërkuar me insistim nga Soros, ndërsa theksoi se “Ilir Meta e ka për detyrë të takojë dikë dhe t’ia thotë në sy atë që e ka thënë publikisht”.
Meta u shpreh se çdokush është i lirë të vijë në Shqipëri dhe të merret me aktivitete të ligjshme, por shtoi se ka përplasje kur ka tentativa për “kapjen e shtetit”.
“E dramatizuat këtë takim, unë po e relaksoj pak. Që Ilir Meta të dorëzohet, kjo është pak si naive, por që Ilir Meta të ketë frikë të takojë dikë dhe t’ia thotë atë që mendon, që ja ka thënë publikisht, e ka për detyrë apo jo? Aq më tepër kur dikush e kërkon një takim me insistim dhe aq më tepër që unë kam thënë që është i mirëpritur në Shqipëri për çdo gjë, por jo për këto gjëra. Pra nëse t’i vjen në Shqipëri merresh me aktivitete të ligjshme patjetër, por në qoftë se t’i ndikon për kapjen e shtetit, për të kundërtën e asaj që predikon, atëherë këtu ka përplasje. Unë i kam shprehur mendimet e mia, për kapjen e drejtësisë, për çështjet e tjera që kanë të bëjnë me lirinë shprehjes dhe medias dhe për shoqërinë civile. Natyrisht u diskutua dhe për temën e tërmetit dhe kaq. Nuk ka pasur diskutim aq për Shengenin, as për tema të tjera. Ky ka qenë një takim i kërkuar edhe në gusht, por unë nuk kam qenë këtu”, tha Meta.
Në korrik të këtij viti, Presidenti Meta hodhi akuza në adresë të themeluesit të fondacionit “Soros”, Xhorxh Soros, për ndërhyrje në zhvillimet e brendshme në Shqipëri.
Në një koment publik, Meta akuzonte Soros, se qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”.