Një shqiptar i arrestuar në janar të këtij viti si anëtar i mafias viterbeze ka vendosur t’i japë fund heshtjes e të rrëfehet për autoritetet italiane. Në fillim të vitit, operacioni Erostrato prangosi 13 persona, kalabrezë e shqiptarë, që prej kohësh terrorizonin qytetin e Viterbos me kërcënime, akte intimiduese e dhunë.
Midis të arrestuarve ishte edhe Sokol Dervishi, 33-vjeçar shqiptar, me nofkën “Codino”, i cili tashmë ka thyer kodin e heshtjes që ekziston midis mafiozëve për të mbrojtur shokët.
Pas bosëve Rebeshi e Giuseppe Trovato, bëhet fjalë për një nga eksponentët më të rëndësishëm të grupit kriminal të shkatërruar nga hetimet e koordinuara nga prokuroria distriktuale anti-mafia.
Codino, pas një faze fillestare heshtjeje, vendosi të bashkëpunonte me hetuesit, duke mbushur faqe të tëra proces-verbalesh e duke zbuluar shumë detaje të rëndësishme të klanit mafioz të akuzuar për një strategji të vërtetë terrori të bazuar mbi zjarrvënie, zhvatje e shantazhe në dëm të sipërmarrësve dhe eksponentëve politikë vendas.
Pendesa e Dervishit tashmë ka bërë çorap të gjitha kartat e mbrojtjes që tani duhet të rishiten para seancës paraprake të 14 janarit, kur gjykata do të vendosë për procesin.