Avokati amerikan Kieran Both ka dhënë sqarime të reja për aplikantët shqiptarë të Green Card në SHBA. "U bëjmë thirrje lexuesve që të kenë kujdes në plotësimin e formularit I-485, nëpërmjet të cilit bëhet kërkesa për rezidencë të përhershme. Ky formular njihet dhe si aplikimi për green card". ka thënë ai.
Karta e rezidencës së përhershme (green card) u lëshohet të gjithë rezidentëve të përhershëm si dëshmi që atyre u lejohet të jetojnë dhe të punojnë në Shtetet e Bashkuara. Një rezidenti të përhershëm të moshës 18 vjeç e lart, i kërkohet që të mbajë gjatë gjithë kohës një green card të vlefshme. Kjo green card shërben gjithashtu që të rifuteni në Shtetet e Bashkuara pas një udhëtimi jashtë shteti, gjithnjë nëse qëndrimi jashtë nuk ka zgjatur më shumë se një vit. Nëse qëndrimi jashtë ka zgjatur më shumë se një vit, atëherë nevojitet të pajiseni me një leje për t’u rifutur.
Sipas Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë (USCIS), formulari aktual I-485 është më pak i komplikuar dhe më i drejtëpërdrejtë se versionet e mëparshme dhe si i tillë do të mundësojë rritjen e efikasitetit të proçesit të shqyrtimit dhe gjykimit të tij duke ulur numrin e gabimeve si dhe kërkesat për dokumenta provë. E megjithatë, formulari I-485 nuk është aq i thjeshtë sa duket. Nëse nguteni në përgatitjen e aplikimit në fjalë, kjo mund të çojë në probleme me emigracionin në të ardhmen.
Ligjet e emigracionit përcaktojnë qartë aktet, kushtet dhe sjelljen që mund ta bëjnë shtetasin e huaj të papërshtatshëm për të marrë statusin e rezidentit të përhershëm. Këto akte, kushte dhe sjellje përshkruhen në nenin 212 (a) të INA-s (tërësisë së ligjeve të emigracionit) dhe përbëjnë shkaqe papranueshmërie [në SHBA].
Formulari I-485 ka një listë të përditësuar dhe gjithëpërfshirëse të pyetjeve që lidhen me pranimin e ligjshëm në SHBA. Pyetjet e shtuara kanë për qëllim që t’i japin USCIS-it informacione shtesë për të vlerësuar pranueshmërinë dhe legjitimitetin e aplikantit. Individët që janë të papranueshëm nuk lejohen me ligj të hyjnë ose të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara.
Në kategoritë e përgjithshme të papranueshmërisë përfshihen ato që lidhen me shëndetin [e individit], veprimtarinë kriminale, sigurinë kombëtare, të qenit barrë publike, mungesën e certifikatës së punësimit (nëse kërkohet), mashtrimin dhe shtrembërimin e fakteve, dëbime të mëparshme (deportim), praninë e paligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe kategori të ndryshme të tjera.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që aplikuesit e green card-ës të plotësojnë me kujdes pjesën 8 të formularit I-485. Gama e pyetjeve që kanë të bëjnë me pranueshmërinë në SHBA është e gjerë dhe aplikantët gjatë plotësimit të formularit, duhet të kenë parasysh sjelljen e tyre në të kaluarën. Padyshim, USCIS dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) gjatë gjykimit të formularit I-485, do të shqyrtojnë dosjen e secilit aplikant. Dosja përfshin të gjitha aplikimet e mëparshme për vizë, aplikimet paraqitur emigracionit dhe kontrollin e të kaluarës së tij.
Formulari I-485 pyet nëse aplikantit i është mohuar ndonjëherë viza për në SHBA. Nëse aplikanti thotë “Jo” dhe DHS zbulon se ka pasur një refuzim të mëparshëm të vizës, kërkesa për green card mund të refuzohet dhe aplikanti të përballet me pasojat për shtrembërim të fakteve.
Formulari I-485 parashtron gjithashtu pyetje të tipit nëse aplikanti ka punuar ndonjëherë në SHBA pa leje pune dhe nëse aplikanti ka shkelur ndonjëherë kushtet dhe afatet e një vize jo-emigrimi.
Një personi me vizë vizitori B-2 nuk i lejohet të punojë, kështu që nëse ai person pranon punësimin, kjo bie në kundërshtim me kushtet e vizës së jo-emigrimit B-2. Nëse përgjigjet “Jo” dhe DHS zbulon se personi në fjalë ka gënjyer, aplikanti mund të shpallet i papranueshëm për shkak se ka punuar pa autorizim pune si dhe për shtrembërim faktesh.
Ka dënime për mashtrime dhe shtrembërim faktesh, ku përfshihen gjoba të rënda dhe ndjekje penale. Personit mund të dënohet që të mos pranohet Imagemë kurrë në SHBA, me përjashtim të rasteve kur ai kualifikohet dhe i miratohet kuerkesa për falje.
Ka gjithashtu një gamë të gjerë pyetjesh lidhur me sjelljen kriminale në të kaluarën. Këto pyetje kërkojnë që aplikanti të tregojë për arrestime pa kallëzim penal dhe për vepra penale të mbyllura dhe të vulosura nga gjykata penale.
Përveç kësaj, pyetjet kërkojnë që aplikanti të pranojë egzistencën e një gjykimi të shtyrë ose dënimi alternativ, nëse ka patur të tilla. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi ka shumë avokatë penalë që nuk e njohin kompleksitetin e ligjit të emigracionit.
Disa avokatë i këshillojnë klientët e tyre që nuk është e nevojshme që ata të tregojnë për ndonjë arrestim të hershëm që është mbyllur, vulosur ose shlyer. Megjithatë, DHS ka akses tek shumë të dhëna që shkojnë përtej regjistrave standard të gjykatës penale, dhe nëse aplikanti nuk tregon për një vepër të mëparshme penale, atij mund t’i hidhet poshtë kërkesa si dhe të akuzohet për shtrembërim të fakteve.
Shpesh njerëzit që i krijojnë vetes probleme janë ata që hezitojnë të tregojnë informacione negative, sidomos prindit ose bashkëshortit. Kjo mund të rezultojë fatale në përpjekjet për të marrë një status të ligjshëm.
Formulari I-485, përfshin një seksion që kërkon të dijë për sjelljen kriminale të bashkëshortit ose prindit të aplikantit. Këto pyetje përqëndrohen në trafikimin e lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore, si dhe në aktivitetin terrorist, por mund të interpretohen gjithashtu dhe si pyetje lidhur me vepra të tjera penale.
Është e mundur që një personi t’i falen disa arsye të caktuara që kanë qenë në bazë të papranueshmërisë së tij [në SHBA]. Në disa raste, përjashtimet janë të shkruara në ligj dhe nuk ka nevojë për kërkesë për falje që personi të mos jetë më i papranueshëm, pasi papranueshmëria e tij bie poshtë nëse ky person i përmbush kriteret për përjashtimin që parashikon ligji.
Nëse aplikanti i përgjigjet “Po” cilësdo nga pyetjet e sigurisë, formulari I-485 kërkon që aplikanti të japë shpjegim për ngjarjet dhe rrethanat në hapësirën e parashikuar në pjesën 14 “Additional Information” (Informacion shtesë) të formularit. Është shumë e rëndësishme që aplikanti të japë një shpjegim të hollësishëm lidhur me përgjigjen.
Nëse USCIS arrin në përfundimin se shpjegimi është i pamjaftueshëm, zyrtari ekzaminues mund të lëshojë një Kërkesë për Evidencë (RFE), sipas së cilës brenda një afati të caktuar duhet dërguar përgjigje e mëtejshme dhe/ose dëshmi përkatëse. Nëse aplikanti nuk arrin t’i përgjigjet kësaj kërkese për evidencë ose nuk jep një shpjegim të mjaftueshëm, formulari I-485 i refuzohet. Më pas, në varësi të rrethanave, aplikantit mund t’i jepet një njoftim për t’u paraqitur (NTA-Notice to Appear) përpara Gjykatës së Emigracionit për Proçesin e Deportimit. Kjo mund të çojë në dëbimin (deportimin) nga SHBA.
I bëjmë thirrje lexuesve tanë që të marrin avokatë emigracioni me përvojë për të përgatitur formularin I-485. Duhet të tregoheni të ndershëm me avokatin dhe t’i tregoni gjithshka që lidhet me sjelljen tuaj në të kaluarën në mënyrë që ai t’ju ndihmojë. Nëse ka gjëra sikletuese në të kaluarën tuaj, mund t’i kërkoni avokatit një takim këshillues privat. Një avokat me etikë pune nuk do t’i tregojë asgjë bashkëshortit ose prindit tuaj, pa dëshirën tuaj.
Lexuesit tanë mund të gjejnë informacione shtesë nga faqja e internetit të Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë (USCIS) në www.uscis.gov ose në faqen e internetit të Gjykatës së Emigracionit në www.usdoj.gov/eoir./Gazeta Illyria