Kastriot Reçi u qëllua me një plumb në zemër. Ky është një nga konkluzionet e para lidhur me ekzekutimin me snajper të Kastriot Reçit, 47-vjeçarit, që mbërriti i pajetë në spitalin e qytetit. Burime spitalore bënë të ditur se Reçi ka pasur vetëm një plumb në trup, goditje që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Trupi i tij ndodhet ende në morgun e spitalit të Rrëshenit. Ishte ora 11:05 minuta e paradites së sotme, kur Reçi ishte vetëm pak metra larg lokalit të tij ‘Mirdita’ në qendër të Rrëshenit, u ekzekutua me një plumb snajperi.
Policia thotë se ka gjetur armën e krimit, por asnjë shenjë nga autorët. Për të zbuluar autorin apo autorët, policia ka dhënë 20 milionë lekë për këdo që ka informacion në lidhje me këtë ekzekutim.
Nga dëshmitë e mbledhura, policia ka mësuar se viktima është rrëzuar në tokë teksa qëndronte në këmbë, ndërsa nuk raportohet që dëshmitarët të kenë dëgjuar krismën.