Romina Xhakoni Myftiu, 33 vjeçe, nënë e një vajze 8-vjeçare, ka humbur jetën në mënyrë të mistershme, pasi të afërmit e saj thonë se kaloi një gjendje gripale mëngjesin e 8 janarit. 33-vjeçarja, e cila punonte arkëtare në Ndërmarrjen e Ujësjellësit të qytetit, nuk kishte vuajtur më parë nga asnjë sëmundje kronike, duke shtuar misterin dhe dhimbjen për ndarjen e papritur nga jeta te të afërmit e saj.
33-vjeçarja luftoi për jetën për gati 36 orë, por në 12 orët e fundit situata e saj shëndetësore është rënduar edhe më shumë, duke rënë në kolaps dhe organet jetësore nuk i funksiononin. E reja ndërroi jetë në orën 04 të mëngjesit të datës 8 janar, pasi jashtë funksioni i kishin dalë veshkat, si rezultat i temperaturës së lartë.
Spitali i Durrësit ka bërë me dije se vajzës i janë marrë mostrat e gjakut dhe janë dërguar në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë për të gjetur shkakun e vdekjes. Varrimi i të resë është bërë një ditë më parë, ndërsa familjarët e saj janë mbështjellë jo vetëm nga dhimbja e madhe, por edhe nga hijet e misterit se çfarë ka ngjarë me të afërmen e tyre, e cila ndërroi jetë në mënyrë të menjëhershme, pa mundur dot as t’i japin ndihmë të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Alban Myftiu, vëllai i saj, në një intervistë për News 24, tregoi të gjithë rrjedhën e ngjarjes se si motra ju shua para syve, dhe askush nuk mund të bënte asgjë.
Albani tregoi se në datë 7 janar motra nuk ishte ndjerë mirë, kishte temperaturë të lartë dhe në orën 16 e 30 minuta të pasdites e kishin çuar në urgjencën e spitalit, ku mori edhe ndihmën e parë. Mjeku i urgjencës kishte konstatuar paralizë faciale dhe e kishte nisur për në shtëpi, duke u thënë familjarëve të vinin të nesërmen në mëngjes te mjekja specialiste.
Të nesërmen në mëngjes në orën 7:30 familjarët e dërguan në spital në gjendje edhe më të rëndë. Ekipi mjekësor i mbledhur me urgjencë e shtroi në reanimacion. Çdo orë që kalonte e rëndoi edhe më shumë situatën shëndetësore të 33-vjeçares duke I nxjerrë jashtë funksioni veshkat. BW