I ftuar në Syri TV, gazetari dhe analisti Andi Bejtja, teksa komentoi aktualitetin në vend dhe debatin për sistemin e ri zgjedhor, u shpreh se, nuk është vetëm sistemi problemi real.
Sipas tij, ka njerëz që mendojnë naivisht se sistemi zgjedhor i ri do të shpëtojë Shqipërinë
“Çdo sistem kur nuk ka vullnet ka problemet e tij. Sistemi nuk zgjidh gjithçka. Nga ana tjetër, mendoj se një dialog me forcat e reja mund të bëhet dhe nuk ka asnjë problem. Ka një lloj pakënaqësie ndaj partikrocisë, ku kryetari vendos gjithçka. Duhet të qepim kostumin në atë mënyrë që të respektohet edhe një individ i vetëm", u shpreh Bejtja.
Cili është shpëtimi?
“Ajo që duhet respektuar është fuqia dhe individualiteti në parti. Çfarë do sistemi të kesh, nëse nuk reformohen partitë, nuk qëndron. Shqipëria i ka kaluar të gjitha sistemet, kreu i opozitës duhet të krijojë aleatë, pa i sulmuar. Të ulen e të flasin. Nuk e shoh shpëtimin te elektronika, duhet bërë një projekt pilot. Çdo sistem është i mirë nëse ka vullnet nga partitë. Të ndryshohet Kushtetuta, të bëhet një referendum e ta vendosë vetë populli çfarë sistemi do. Nuk është ekspert për këtë, por le ta qepi vetë kostumin që do veshë”, shtoi analisti.
Intervista në Syri TV: