Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Kurbinit, pasi iu sekuestrua një armë zjarri, lëndë narkotike, municion luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës. Burime zyrtare bënë me dije se në kuadër të operacionit policor “Zheja” u arrestuan shtetasit me inicialet J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë të Kurbin.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. (K.) Rr, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 m fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kg kanabis.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kërkonin treg për të shitur lëndën narkotike. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”, në ngarkim të J. Rr. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, për shtetasin E. Rr.