Policia e Tiranës ka arrestuar dy adoleshentë, ndërsa ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi akuzohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh në kryeqytet.
Uniformat blu të Tiranës bëjnë me dije se adoleshentët kryenin vjedhje gjatë natës nëpër dyqane, ndërsa janë dokumentuar edhe rastet kriminale.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Kryen një sërë vjedhjesh gjatë natës, kapen dhe arrestohen në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, dy adoleshentë, ndërsa 2 të tjerë shpallen në kërkim.
Zbardhen dhe një sërë vjedhjesh të tjera të kryera më parë nga këta shtetas.
Gjithashtu, po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kapen dhe ndalohen edhe 2 persona në kërkim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve kundër pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– I. L., 14 vjeç, banues në Tiranë;
– K. S., 16 vjeç, banues në Kamzë;
Si dhe shpallën në kërkim shtetasit:
-F. B., 14 vjeç dhe E. M., 14 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta të rinj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë natës kanë kryer vjedhjet e mëposhtme:
– Në bulevardin “Gjergj Fishta” kanë vjedhur një shumë në euro dhe në lekë, në një agjenci e siguracionesh;
– Në rrugën “Gjin Bue Shpata” kanë vjedhur një shumë lekësh në një dyqan ;
– Në rrugën “Dritan Hoxha” kanë tentuar të vjedhin në një farmaci;
– Në rrugën “Ibrahim Rugova” kanë vjedhur një sasi lekësh në një farmaci;
– Në rrugën “Perlat Rexhepi” kanë vjedhur një shumë lekësh në një bulmetore;
– Në bulevardin “Bajram Curri” kanë vjedhur në një lokal.
Gjithashtu, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasit e mësipërm janë autorë edhe të tri vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë, konkretisht:
– Më datë 14.01.2020 kanë vjedhur në bulevardin “Gjergj Fishta” zyrat e tre shoqërive siguracionesh.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë”.
Po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në këkrim, në bulevardin “Bajram Curri”, u kap shtetasi në kërkim K. B., alias S. B., 39 vjeç, banues në Gjirokastër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, për veprat penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”. Ky shtetas iu dorëzua për veprime të Komisariatit të Policisë Gjirokastër.
Si dhe shtetasi B. L., 33 vjeç, banues në Tiranë. Ky person ka qenë i shpallur në kërkim për llogari të seksionit të Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor, pasi me shkresën nr. 295, datë 15.01.2020 Prokuroria e Tiranës ka dërguar urdhrin e për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurit B. L., për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” .