Autorët e plagosjes së dyfishtë mbrëmjen e sotme në Vlorë kanë djegur automjetin tip “Benz” me të cilin u larguan nga vendngjarja. Automjeti është gjetur i djegur në dalje të qytetit të Vlorës, në aksin e vjetër që lidh qytetin bregdetar me Fierin.
Arma “Kallashnikov” që dyshohet se është përdorur për plagosjen u gjet brenda bagazhit të makinës. Automjeti është djegur plotësisht dhe është shumë e vështirë për të gjetur gjurmë në të.
Makina tip “Benz” ka pësuar dëmtime të shumta dhe është gjetur e djegur në një rrugë të fshehtë, top labirinthi, dhe që është shumë e vështirë për t’u futur.
Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar policinë, pasi kanë dëgjuar shpërthimin e makinës.
Burime bëjnë me dije se autorët janë detyruar të përfundojnë aty, për shkak se janë ndjekur nga policia, pasi plani i tyre dyshohet se ka qenë ndryshe.
Mbrëmjen e sotme në lagjen “Kushtrimi” Vlorë mbetën të plagosur Nikollaq Çepaj (Taullaraj) dhe Roland Çepaj.
Objektivi i këtij atentati dyshohet se ka qenë Nikollaq Çepaj (Taullaraj) 36-vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
36-vjeçari ishte ulur në një kafe së bashku me kunatin e tij, ndërsa autori e kishte monitoruar duke e ndjekur me kujdes dhe në momentin që ra errësira, ka kaluar përpara lokalit duke ulur xhamin dhe më pas lëshoi breshërinë e kallashnikovit drejt tavolinës.
Ai kishte vetëm tre ditë që kishte lënë qelinë e burgut pasi ishte dënuar për një plagosje të ndodhur në vitin 2018-të.
Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe në të gjithë qytetin dhe vijon kërkimet për kapjen e autorëve të plagosjes, si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.