Kanë afër 2 muaj që flenë në një makinë të vogël, pasi pallati ku jetojnë ka dalë i pabanueshëm. Në dy sediljet e para flenë dy prindërit, ndërsa dhome e gjumit e fëmijëve është sedilja prapa.
Trokasim në xhamin e parëm, ku fle kryefamiljari Ferdinand Saraçi. 53-vjeçari është i papunë, por pas tërmetit të 26 nëntorit edhe i pastrehë.
Pallati nr 116, në rrugën e Qelqit, në Kombinat, ku jeton që prej lindjes, ka të stampuar në hyrje shenjën paralajmëruese të Institutit të Ndërtimit, që e klasifikon objektin të pabanueshëm.
2 fëmijët e çiftit Saraçi, vajza 10 dhe djali 11 vjeç, qëndrojnë të strukur nën batanije, teksa mundohen të bëjnë detyrat për të nesërmen nën dritën e dobët të kabinës dhe të celularit.
Kanë shumë ftohtë, edhe pse babai i tyre herë pas here ndez makinën për të vënë në punë kondicionerin, por më kot. Netëve temperaturat bien ndjeshëm, deri nën zero.
Nga të ftohtët brenda makinës shëndeti i vajzës është përkeqësuar, tregon babai i saj, që disa herë i është drejtuar Urgjencës së Pediatrisë për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas tërmetit, familja u sistemua për disa ditë në çadrën e vendosur nga Emergjencat Civile. Por çadra u mbush me ujë që me shiun e parë.
Nga bashkia thotë se ka marrë vetëm një batanije, si dhe një muaj bonus për janarin, në një kohë që ende nuk është shpërndarë bonusi i dhjetorit.
I pyetur për këtë, kreu i Njësisë Administrative nr 6, në Kombinat, Adriatik Merko, thotë se vonesa e lëvrimit të bonusit të dhjetorit është përgjegjësi e këshillit bashkiak dhe bashkisë së madhe.
Ndërkohë, familja Saraçi thotë se ka qëndruar vetëm dy ditë në hotel pas tërmetit dhe se është nxjerrë me urdhër të kryetarit të Njësisë Administrative, fill pasi folën në media për vështirësitë e mëdha, me të cilat po përballeshin.
Por, kreu i Njësisë Administrative nuk ka pranuar të komentojë akuzat, duke u shprehur se do të përgjigjej vetëm pas kërkesës së dërguar në rrugë institucionale.
I gjendur në mes të katër rrugëve bashkë me fëmijët dhe gruan pa asnjë lloj përkrahjeje nga qeveria e pushteti vendor, Ferdinand Saraçi vendos të marrë kredi në bankë në vlerën dy milionë lekë për të gjetur shtëpi me qira. Por, mëson se qiratë janë rritur ndjeshëm dhe se askush nga pronarët nuk pranon të lidhë një kontratë qiraje të rregullt.
Si Ferdinandi në Kombinat, ka shumë familje që gjenden në të njëjtën situatë të vështirë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Një pjesë kanë gjetur strehim tek miq të afërm apo në shtëpi me qira, ndërsa të tjerë kanë vendosur të marrin përsipër rrezikun, duke vijuar jetesën në pallatet e dëmtuara.
Me një rrogë të vogël që merr nusja dhe me 2 fëmijë minorenë që rrezikojnë të pësojnë deformim të shtyllës kurrizore nga fjetja në makinë, Ferdinand Saraçi thotë se nuk sheh asnjë fije drite në fund të tunelit.