Thumana si shkretëtirë, banorët: Nuk jetohet si kafshë, më mirë të na vrasin

Diel, 26 Janar 2020 16:33

Kjo është panorama në Thumanë, dy muaj pas tërmetit. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar që prej 26 nëntorit të 2019. Rrugët janë plot inerte nga shembja e shtëpive, dhe pallateve, banorët që sheh janë shumë të paktë, ndërsa në shtylla janë ende lajmërimet për ceremonitë mortore të personave që tërmeti ju morri jetën.

Ata pak banorë që kanë mbetur ndihen të braktisur.

 

Nuk jetohet si kafshë në çadër më mirë të na vrasin. Gjithë kohën duke ngrirë së ftohti në çadër. Ndihemi si në shkretëtirë, kaq, kemi marrë fund”.

 
 

Edhe këta banorë që po qëndrojnë renditin arsye të forta.

 

“Kam gjënë e gjallë, s’mund të ikim, këtu vjedhin. Nuk jemi larguar, po rrimë në çadër”.

Ndërsa kjo banore ndihet e tronditur dhe dëshmon se lëkundjet e tokës ndihen ende.

“Nuk është stabilizuar as toka, po bien shpesh tërmete”.

Problemet në këtë zonë të dëmtuar nga tërmeti, nuk kanë fund, ende nuk kanë përfunduar ekspertizat e banesave, bonusin nuk kanë marrë, ushqimet që ju dërgohen sa vijnë dhe janë më të pakta.

“Këtë muaj njëherë, asgjë s’kanë bërë, asgjë nuk japin. Po rrimë rrugëve. Na kanë sjell ca mbeturina e i hodhën në kosh të plehrave, na kanë sjellë nga 1 kg vaj, sa për të mbyllur sytë e gojën dhe kaq. Fillimi qe i mbarë, na dhanë ndihma”.

Kjo zonjë ka humbur çdo shpresë nga institucionet aq sa beson vetëm në mrekullitë qiellore.

“Shpresa vdes e fundit por çfarë të them, zoti na dha fundin por ishallah na jep kreun tani”. /Abc News

Login to post comments