Në krye të Federatës Panshqiptare Vatra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është zgjedhur Ilmi Berisha, shqiptaro-amerikani i parë nga Kosovë që drejton këtë federatë në mbi 100 vite të krijimit të saj.
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Berisha shpalosi planin e tij për atë që ai e quan vizioni i shekullit 21.
Intervista e plotë:
–Ju vini në krye të organizatës vini në një moment jo të lehtë. Disa anëtarë të vjetër janë përjashtuar. A keni ju një plan për ta unifikuar Vatrën?
Berisha: Asnjë anëtar i Vatrës, anëtarë të cilët kanë mbështetur vatrën në 50 vite nuk janë përjashtuar. Ju siguroj që një gjë e tillë nuk ekziston. Ka mendime të ndryshme dhe kjo është traditë.
-Ju jeni një aktivist i hershëm i komunitetit dhe keni kontribuar materialisht për kauza të ndryshme. Jeni i pari nga Kosova që drejtoni Vatrën. Çfarë ju motivoi për ta marrë përsipër këtë sfidë?
Berisha: Shqiptaro-amerikanët janë pjesë e rëndësishme e krijimit të shtetit të ri të Kosovës. Këto energji që kanë mbretëruar në 100 vite dhe pjesa tjetër e 30 vjeçarit të fundit, mendoj që është e nevojshme të vazhdojmë organizimin e shqiptarëve në Amerikë për të kontribuar më së mirë për vendin e origjinës.
-Si mund të bëhet Vatra ombrellë e shqiptaro-amerikanëve pavarësisht bindjeve që kanë për qeveritë në vendin amë?
Berisha: Kur është krijuar Vatra nga Noli dhe Konica kjo ka qenë ideja themeltare e tyre, pra Vatra të shërbejë si ombrellë. Unë mendoj që tani me energjitë e reja, mentalitetin e shekullit 21 që do ta promovoj unë do të krijojmë infrastrukturë që do të jetë joshëse për gjeneratat e reja të shkolluar që kanë mundësi për ta shtyrë Vatrën edhe më fuqishëm dhe ta vënë interesin e shqiptarëve atje ku e meriton,.
-Në komunitet ka pikëpamje të forta politike pro ose kundër kësaj qeverie në vendin amë…
Berisha: Ajo gjithmonë do të ekzistojë sepse ka preferenca personale ndaj lidershipit në Tiranë dhe Prishtinë. Vatra e shekullit 21, unë dhe ekipi im do të përqendrohet pak më ndryshe. Ne do të promovojmë çdo lider që vjen nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe do t’i trajtojmë të gjithë me dinjitet sepse është e vetmja mënyrë të krijojmë kredibilitet të vazhdueshëm në Uashington, duke mos u marrë me njëri-tjetrin por duke ecur përpara për një perspektivë më të përshtatshme.
-A mund të jetë Vatra një instrument influencimi pranë administratës amerikane për sfidat e mëdha siç janë integrimi i Shqipërisë apo normalizimi Kosovë-Serbi.
Berisha: Konica mendonte se Vatra do të ishte një ombrellë e shqiptarëve në Amerikë. Pas ombrellës, Konica dhe Noli e kuptonin fare mirë se ndonte se vatra duhet të influencojë për interesat e shqiptarëve në Ballkan. Është koha që Vatra të kthehet në substancën e saj. Ajo është përkujdesja për interesat e shqiptarëve në Ballkan. Është koha që ndoshta Vatra të mendojë dhe të përqendrohet në të njëjtën elementë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi bisedimeve që po vonohen me Serbinë dhe të cilat do të rezultojnë aty ku Kosova duhet të jetë.
Unë mendoj që duhet të kthehet përkushtimi i shqiptaro-amerikanëve, në këtë rast Vatra si ombrellë dhe të tjerët dhe të forcojmë marrëdhëniet tona 100 vjeçare me Shtetet e Bashkuara dhe t’i vendosim atje ku duhet.
-A e shihni Presidentin Trump si një shans për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Berisha: Unë ndihem shumë mirë dhe modest me politikën e Presidentit Trump. Shqiptarët duhet të vetëdijesohen dhe të koordinohen si në Tiranë dhe në Prishtinë, por edhe një koordinim i ri duhet të bëhet me mërgatën në SHBA. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë dhe të japim energjitë tonë pozitive rreth bisedimeve dhe mundësive që të krijojmë ura të reja dhe të krijojmë pa asnjë dilemë shtetin e Kosovës, i cili ka kaluar një çikë në zbehje për sa i përket njohjeve të reja. Koordinimi me Vatrën do të hapë rrugë të reja dhe të fuqishme rreth forcimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës.
-Si kryetar i ri i Vatrës, a shihni ju shanse për ngritjen e nivelit arsimor të Vatrës duke ftuar anëtarë të rinj, pasi dihet se ka të rinj që janë doktor shkencash, inxhinierë të zotë, etj.
Berisha: Ky është qëllimi jonë! E vetmja mënyrë që Vatra të ecë në rrugën 108 vjeçare, është inkuadrimi i sa më i shpejtë i të rinjve dhe të rejave që janë këtu në Amerikë. Në të ardhmen e afërt, e tërë Vatra do të kalojë në duart e të rinjve që janë stazat më të larta të edukimit dhe zhvillimit në Amerikë. Kjo do të ketë edhe ndikim pozitiv në ekonominë e vendit nga kanë ardhur.