Operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit, Frontex-it, GDF-së dhe rojës bregdetare, për gjurmimin dhe ndjekjen e dy mjeteve lundruese gomone që ishin nisur nga shteti grek, në drejtim të brigjeve shqiptare.
Ditën e djeshme rreth orës 16:00, pas informacionit të marrë se dy mjete lundruese tip gomone ishin pikasur në Korfuz nga avioni i Forntex-it, duke lundruar drejt ujërave shqiptare, menjëherë janë vënë në lëvizje të gjitha shërbimet policore nga uji, toka, po ashtu edhe nga ajri.
Ky operacion ka vijuar nga shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë, Delta Forcë dhe Guardia di Finanza, roja bregdetare, si dhe nën koordinimin orientues të QNO Durrës, duke mbajtur kontakte edhe me avionin e Frontex-it që kryente ndjekjen nga ajri, me qëllim bllokimin e mjetit dhe kapjen e bordit që drejtonte gomonen.
Gjatë ndjekjes, një mjet lundrues është kthyer përsëri në ujërat greke, ndërsa mjeti tjetër lundrues tip gomone me 3 motorë të llojit “Yamaha”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke përfituar nga kushtet atmosferike dhe errësira e natës është braktisur nga ekuipazhi, pranë vendit të quajtur “Plazhi i Vjetër” Vlorë.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet nuk është gjetur asnjë send apo material i kundërligjshëm.
Gjithashtu, nga të dhënat paraprake të avionit të Frontex-it që ka kryer ndjekjen nga ajri në bordet e gomoneve nuk janë konstatuar sende të tjera, përveç bidonëve me karburant.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.