Paga të ulëta, mbi 260 efektivë braktisën uniformën e policisë gjatë 2019

Diel, 02 February 2020 19:35

Mbi 260 efektivë policie gjatë vitit të shkuar dhanë dorëheqjen nga radhët e organizatës blu. Sipas kreut të sindikatës së policisë, Sadetin Fishta, këto largime vijnë si pasojë e trajtimit me pagë të ulët dhe të liberalizimit të procedurave të emigrimit në vendet evropiane. 

Një numër i konsiderueshëm efektivësh kanë dhënë dorëheqje nga policia gjatë vitit të fundit, kryesisht për shkak të faktorëve ekonomik. Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta thotë se 260 efektivë janë dorëhequr kryesisht për shkak të pagave të ulëta.

Fishta: Gjatë vitit 2019 nga policia e shtetit, me kërkesë të tyre, pa futur këtu punonjësit e policisë të dalë në pension peleqërie apo të larguar me masa disiplinore është një shifër që është alarmante, 260 punonjës policie.

Një tjetër faktor për braktisjen e uniformës së policisë është edhe liberalizimi i procedurave për emigrimin në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.

Fishta:  Fakti që janë liberalizuar procedurat e punësimit në Gjermani rrezikojnë që një pjesë e mirë e punonjësve të policisë që janë me paga të ulëta të nivelit zbatues, që kanë mbi 5 vjet punë të mund të bëjnë kërkesa për largim nga policia.

Kreu i Sindikatës thotë se pavarësisht se policia  furnizohet me punonjës të rinj nga Akademia e Sigurisë, dorëheqjet janë të parikuperueshme.

Fishta: Edhe pse ne kemi këtë vit futen në policinë e shtetit 400 punonjës që janë rekrutuar të rinj, prap nuk plotësojmë nevojat me punonjës policie për shkak të këtyre largimeve, të cilat shpresojmë që të ulët ky numër.

Largimet nga radhët e policisë janë problem prej vitesh ku së fundmi rreth 80% e efektivëve kryefamiljarë aplikuan për lotarinë amerikane.

Login to post comments