Aldrion Shehu nga Gjirokastra ka ngritur në këmbë sot policinë.
Ikja e tij nga postblloku në Korçë dhe ndjekja për disa orë, ka bërë që dhjetëra forca policie të vendosen në ndjekje të tij.
5 persona, mes të cilëve dhe një oficer policie mbetën të plagosur në tentativë për ta ndaluar të riun gjirokastrit
Informacionet në lidhje me këtë ngjarje vazhdojnë të jenë kontradiktore. Dëshmitarët kanë bërë të ditur se ka pasur të shtëna me armë, ndërsa policia e mohon.
Ndjekja ka përfunduar në Krastë të Elbasanit, ku u plagosën 5 persona, mes të cilëve dhe punonjësi i policisë Eugent Abdurraza.
Nga ana tjetër burime kanë thënë se, policia ka patur një sinjalizim për një atentat dhe është vënë në ndjekje të dy automjeteve që nga Librazhdi.
Në Krastë të Elbasanit, blutë kanë tentuar të ndalojnë dy makina. Mësohet ndaj mjetit tip Passat janë hedhur zinxhirë me gozhda për ta ndaluar. Ndërsa automjeti tjetër ka arritur të largohet.
Burimet thanë se efektivi i Shqiponjave ka tentuar ti bëjë post-bllok autorit por ky i fundit e ka përplasur, duke i shkaktuar plagë të shumta.
Punonjësi i policisë është sjellë për mjekim të specializuar në Tiranë, pasi ka fraktura të shumta.
Njoftimi zyrtar i policisë së Elbasanit për këtë ngjarje:
Më datë 04.02.2020, rreth orës 09:00, Salla e Drejtimit Korçë, ka njoftuar Sallën e Drejtimit të DVP Elbasan se mjeti tip Pasat i zi me targa Greke IEH 3922, nuk i ka ndaluar shërbimeve të policisë Korçë dhe Pogradec dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Elbasanit.
Menjëherë në Librazhd është ngritur pikë kontrolli e përforcuar , por drejtuesi i mjeti sa ka parë policinë ka marrë përpara sinjalistikën e vendosur në rrugë sipas procedurës për pikë kontrolli dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe ka vijuar me shpejtësi të madhe në drejtim të Elbasanit.
Shërbimet e Policisë së Librazhdit janë vënë në ndjekje të mjetit deri në Elbasan duke mbajtur komunikim me shërbimet policisë në Elbasan.
Focat Shqiponja , ato të Patrullave të Përgjithshme dhe të Qarkullimit Rrugor, në hyrje të qytetit Elbasan në aksin rrugor Librazhd -Elbasan, kanë ngritur pikë kontrolli duke kontrolluar rrugën.
Drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet duke goditur makinën e policisë dhe dy mjete të tjera.
Si pasojë është plagosur jashtë rrezikut për jetën një punonjës policie dhe 4 shtetas.
Drejtuesi i mjetit shtetasi A. Sh, 27 vjec , banues në Gjirokastër është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme.
Ky drejtues mjeti edhe në vitin 2018 , ka kryer të njëjtat veprime duke mos ju bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar.
Nga kontrolli i mjetit nuk u gjetën armë apo lëndë narkotike por vetëm disa targa automjetesh.
Theksojmë se nuk ka patur asnjë të shtënë me armë zjarri gjatë ndalimit të automjetit.