Hipoteka e Vlorës do të drejtohet nga Bilbil Aliaj, i cili do të jetë drejtori i 10-të që merr përsipër të rregullojë çështjet e pronave në Vlorë që prej vitit 2013.
Dorëheqjet e vazhdueshme të titullarëve të hipotekës në Vlorë kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik, pasi kanë nxjerrë në pah problemet me pronat. Por gazetari Enrik Mehmetaj raporton për BalkanWeb se asnjë nga dorëheqjet nuk ka qenë për shkak të detyrës por për arsye personale apo shëndetësore. Po ashtu ai bën me dije se pas ‘stuhisë’ së vitit të kaluar me dorëheqjet, tashmë situata në Kadastrën e Vlorës ka rënë në qetësi.
I fundit, Taulant Cenameti ishte i komanduar dhe do të kthehet në Tiranë ku ka punuar edhe më parë.
Më 11 shtator policia tha se kishte vënë në hetim 23 punonjës të hipotekës për shpërdorim detyre, ndërsa më parë qe raportuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte nisur auditimin e punës së 4 viteve të fundit në hipotekë.
”Probleme si në Kadastrën e Vlorës do të dëgjoni edhe në qytete të tjera. I vetmi ndryshim në Vlorë është se nuk gjen një njeri me emrin ‘Durim’. Në Vlorë njerëzit janë më të padurueshëm se të tjerët.”- deklaronte kreu i Kadastrës Artan Lame vitin e kaluar.
Në 6 muajt e fundit hipoteka e Vlorës është drejtuar nga:
Elona Hodaj, shtator 2019-tetor 2019 (më pak se 1 muaj)
Alteo Nazëraj, shtator 2019-shtator 2019 (10 ditë)
Florian Almadhi, maj 2019-shtator 2019 (5 muaj)
Klodian Troci, korrik 2018–shtator 2019 (në maj qe kaluar nëndrejtor, 1 vit e 2 muaj)
Sokol Banaj, janar 2018–korrik 2018 (6 muaj)
Rezart Elmazi, tetor 2015-korrik 2017 (1 vit e 10 muaj)
Loreta Alushi Tozaj, dhjetor 2014-tetor 2015 (10 muaj)
Ina Luçi, tetor 2013-dhjetor 2014 (14 muaj)
Taulant Cenameti, ishte drejtori i fundit i komanduar, që do të zëvendësohet nga Bilbil Aliaj.