Shqipëria u përfshi nga reshjet më të mëdha të borës për sivjet.
Si pasojë janë shfaqur dhe problemet e para në akset rrugore dhe në qarkullimin e mjeteve. Në Korçë trashësia e borës ka arritur në 10 cm në lartësinë 1000 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që po punohet për zhbllokimin e akseve. Të kalueshme me zinxhirë deri më tani janë aksi Korçë-Dardhë, Korçë -Qafë e Qarrit dhe pjesërisht Korçë-Voskopojë. Akset e tjera të kalueshme pa problem ndërsa duhet treguar kujdes në lëvizjen e automjeteve. Trashësia e borës në zonat malore ka shkuar deri në 20 cm.
Situata paraqet problematika dhe në Kukës, ku i gjithë qarku është përfshirë nga reshje intesive që prej mbrëmjes së djeshme. Trashësia e borës në Shishtavec ka arritur deri në 30 centimetra, ndërsa për momentin situata paraqitet joproblematike në rrugën e Kombit, ku qarkullimi duhet kryer me zinxhir. Ndërkohë kanë mbetur pa energji elektrike njësia administrative Bytyç dhe Margegaj në Tropojë, Golaj në Has, Shishtaveci, Topojani,Gryk- Cajë, Bishtricë dhe Ujmishti në Bashkinë Kukës.
Reshje kanë përfshirë edhe qarkun e Elbasanit, ndërsa sasia e madhe ka rënë në njësinë administrative Steblevë në Prrenjas, por edhe njësinë administrative Rrajcë në Librazhd. Ndonëse qarkullimi kryhet me vështiresi në këto dy njësi rrugët janë të hapura. Problem për bashkinë e Prrenjasit është mungesa e energjisë elektrike qysh prej një natë më parë. Në Elbasan reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe pikën turistike Gjinar, ku mësohet se ka rënë 6- 7 cm dëborë, por pa problem në qarkullim. Edhe në Gramsh dëbora ka përfshirë zonat më të largëta , si Grabovë, Poroçan, Skenderbegas dhe Lenie. Aktualisht sipas emergjencave civile situata është nën kontroll. Duke qenë se të gjitha rrugët janë të kalueshme, nuk ka pasur probleme as me transportin e nxënësve në shkolla.
FOTOT janë realizuar nga LSA në Qafë Plloçë.
© SYRI.net