Pasi qëndroi më shumë se 2 muaj e strehuar në një hotel në Shëngjin, Valdete Kodra, së bashku me familjen, është rikthyer në banesën e saj të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit, në qytetin e Laçit.
Pamundësia për të gjetur një vendstrehim tjetër, pasi nuk përfiton as bonus qiraje, e ka detyruar 50-vjeçaren që të vendoset në ambientet e ishkonviktit ku ka jetuar para tërmetit të nëntorit.
“Kam qëndruar më shumë se 2 muaj e strehuar në hotel ‘Rafaelo’, në Shëngjin, por prej aty na nxorën, pasi shteti e ndërpreu kontratën. Tani u riktheva sërish te banesa ku kam jetuar më parë, pasi nuk kisha zgjidhje tjetër. Shtëpinë e kam blerë 20 vite më parë, por nuk kam letra e për rrjedhojë më kanë thënë se nuk përfiton as bonusin e qirasë.
Në këto kushte, unë e kam të pamundur të gjej shtëpi me qira për t’u strehuar, pasi nuk kam të ardhura dhe së bashku me burrin e tre fëmijët jemi futur sërish te banesa ku kemi jetuar më parë. Godina është shpallur e pabanueshme dhe ka shumë rrezik. Kemi shumë frikë, por s’kemi ca bëjmë nuk kemi vend ku të qëndrojmë”, thotë Valdete Kodra. Në të njëjtën situatë është edhe Nikoll Kola, banor i ishkonviktit në qytetin e Laçit.
Ai ka qëndruar në vazhdimësi te banesa e shkatërruar nga tërmeti nga frika e vjedhjeve, ndërsa tani janë rikthyer edhe familjarët e tjerë, të cilët kanë qenë të strehuar në Shëngjin. Kola tregon se nuk ka letra për shtëpinë dhe në këto kushte i kanë thënë se nuk përfiton bonus, por as nga programi i rindërtimit. “Unë, në fakt, kam qëndruar gjatë gjithë kohës këtu në Laç, për shkak se kisha frikë se do më vidhnin shtëpinë. Familjarët e tjerë kanë qenë strehuar në Shëngjin, por që prej tri ditësh janë rikthyer, pasi i kanë nxjerr nga hoteli.
“Tani po qëndrojmë këtu te shtëpia e dëmtuar të gjithë. Jam interesuar për të aplikuar për bonusin e qirasë, por nuk më kanë pranuar, pasi më kanë kërkuar letrat e shtëpisë dhe unë nuk i kam. Jemi pa të ardhura dhe e kam të pamundur që të gjej vetë shtëpi me qira, për shkak se dhe çmimi është rritur. Një shtëpi në Laç kushton 200 mijë lekë, s’kam ku t’i gjej. Pallatin na e kanë shpallur të pabanueshëm dhe nuk na kanë thënë asnjë fjalë se çfarë do bëhet me ne”, thotë Kola.
HOTELET
Tre hotelet e Shëngjinit ku qëndronin të strehuar banorët e prekur nga tërmeti i 26-nëntorit janë boshatisur. Banoret e fundit që kishin ngelur në hotele janë larguar mëngjesin e së premtes, pasi Bashkitë e Lezhës, Kurbinit dhe Krujës i kanë ndërprerë kontratat me hotelet që prej fillimit të muajit shkurt dhe banorëve iu është kërkuar që të dilnin.
Pasi janë nxjerrë nga hotelet ku qëndronin të strehuar, një pjesë e banorëve të Kurbinit janë rikthyer në banesat e shkatërruara. Pamundësia për të gjetur strehim po i detyron ata që të rrezikojnë jetën, pasi thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër.
“Mua më nxorën nga hoteli ditën e hënë. E kam përfituar bonusin 120 mijë lekë, por s’kam mundur të gjej shtëpi me qira me këtë çmim. Ka 1 muaj që kërkoj në të gjitha Kurbinin e Lezhën, por çmimet janë shumë të shtrenjta”, thotë një banore e fshatit Gjorm, në Kurbin.
Në Kurbin nuk ka përfunduar vlerësimi i ndërtesave të dëmtuara
Kur kanë kaluar 2 muaj nga tërmeti i 26-nëntorit, në Bashkinë e Kurbinit ende nuk ka përfunduar vlerësimi përfundimtar i objekteve të dëmtuara nga tërmeti, dhe në këto kushte, qindra banorë të kësaj zone ende nuk e dinë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre. Numri i pallateve që u është vendosur shenja e kuqe, është 80, por deri tani, vetëm 7 prej tyre janë shembur, pasi për të tjerët pritet vlerësimi përfundimtar, i cili do të vendosë se çfarë do të bëhet me to.
Nga ana tjetër, janë një numër i konsiderueshëm familjesh që nuk kanë certifikata pronësie për shtëpitë e tyre, çka do të thotë se mund të rrezikojnë që të mos përfshihen në programin e rindërtimit. Në Bashkinë Kurbin, askush nuk di të japë informacion se çfarë do të bëhet me këto familje.
“Bonuset e qirave janë miratuar në Këshillin Bashkiak dhe një pjesë më e madhe ka kaluar nëpër llogaritë bankare të familjeve të prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor, teksa pjesa tjetër po kalon nëpërmjet thesarit dhe nuk ka shumë vonesë. Për sa u përket familjeve që nuk kanë dokumente për shtëpitë, presim vendimet e qeverisë se çfarë do të bëhet me to”, thotë një zyrtar i Bashkisë Kurbin.