Çështja e Kopshtit Botanik ka marrë vëmendje të madhe në media, për arsye se në korrik të vitit që shkoi, u vendos transferimi i pronësisë dhe administrimi i tij nga Qeveria dhe Universiteti i Tiranës tek Bashkia Tiranë. Ky vendim u shoqërua me kundërshtime prej komunitetit akademik, studentor e më gjerë. Për të folur më shumë rreth zhvillimeve të fundit për çështjen e Kopshtit Botanik, historikut dhe funksioneve të tij, si dhe nevojës së ruajtjes të të vetmit Kopsht Botanik në vend, kemi zhvilluar një intervistë me Profesor Petrit Hoda.
Profesor, muajt e fundit po flitet shumë për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë, në kundërshtimin e fortë tuajin dhe të gjithë komunitetit shkencor të Fakultetit të Shkencave Natyrore. Ju lutem të na shpjegoni si qëndron, me fjalë të thjeshta, e vërteta?
Ashtu është, ne e kundërshtojmë synimin e Bashkisë për marrjen në pronësi dhe administrim të Kopshtit, gjë e cila është realizuar (të paktën deri tani) edhe nga VKM nr.510/2019. Ne mendojmë se kjo është e padrejtë, krejt arbitrare, pasi nuk është marrë paraprakisht mendimi ynë dhe i atyre që e kanë krijuar dhe kanë investuar aty çdo gjë: mund, djersë, ëndrra, ekspertizë. Askush nuk ka të drejtë që me një të rënë të lapsit të zhbëjë një institucion shkencor-mësimor, duke ç’aktivizuar qëllimin dhe funksionet e tij.
Atëherë ç’mund të na thoni më në detaje për krijimin e Kopshtit Botanik?
Vendimi zyrtar për krijimin e tij ka dalë më 15 mars 1965, kur Këshilli i Ministrave i atëhershëm vendosi krijimin e Kopshtit Botanik në Qytetin e Tiranës; ai do të ishte nën drejtimin dhe administrimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Pra, ndonëse ishim të varfër e vendi kishte shumë halle e derte, u mendua të ngrihej një qendër moderne kërkimore e mësimore, për: “njohjen e bimëve të Shqipërisë dhe të vendeve të huaja me vlerë ekonomike e shkencore, për të konkretizuar mësimin e studentëve dhe nxënësve në shkencat biologjike e bujqësore…”.
Puna filloi menjëherë, me shumë entuziazëm, jo vetëm nga pedagogët e studentët e asaj kohe, por edhe nga shumë intelektualë e qytetarë të tjerë, të cilët, madje edhe në mënyrë vullnetare, kontribuan për ndërtimin e tij. Asokohe, territori ku sot është Kopshti Botanik ishte thjesht një hapësirë agro-pastorale, me bimësi dhe konfigurime të relievit, krejt e ndryshme nga ajo që shohim sot. Por, idete e qarta dhe entuziazmi bënë që ky institucion, jo i falur, por i krijuar “nga hiçi”, të merrte formë, dhe shumë shpejt, në vitin 1971, të përurohej zyrtarisht.
Ideatorët dhe mbështetësit kryesorë të tij kanë qenë pionierët e famshëm të botanikës shqiptare: Kol Paparisto, Mustafa Demiri, Liri Dinga. Fillimisht, Kopshti ka qenë pjesë e Katedrës së Botanikës, pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore në UT. Aktualisht, ai është pjesë e Qendrës së Kërkimeve të Florës e Faunës, në Fakultetin e Shkencave Natyrore.
Cilat janë Funksionet e Kopshtit Botanik?
Ato janë të njëjtat me ato të kopshteve botanike kudo në Botë. Funksioni kryesor është ai kërkimor, që konsiston në studimin e kushteve klimatike natyrore, ku një lloj i caktuar rritet në natyrë ose siç thuhet në gjuhën shkencore, “in-situ” dhe marrjen dhe aklimatizimin e tyre në ekspozicionet e Kopshtit Botanik, pra në kushte “ex situ”. Kuptohet, kjo nuk është e thjeshtë, pasi jo të gjitha bimët arrijnë realisht të përshtaten me kushtet e reja të Tiranës, sidomos ato që në natyrë rriten në kushte ekstreme; gjithsesi, në përpiqemi të bëjmë më të mirën.
Këto bimë, të ndara në familje e gjini, i vendosim pastaj në Kopsht, sipas një sistemi të caktuar, p.sh. barishtoret renditen sipas shkallës së evolucionit, sigurisht në përputhje edhe me klasifikimin dhe njohuritë që studentët marrin në lëndët përkatëse botanike. Konkretisht, në parcelat e Sistematikave barishtore e dru-shkurrore aktualisht rriten më shumë se 700 taksone, pa llogaritur këtu ato të mjediseve të tjera (serrë, ekspozicionet e tjera). Gjithashtu, një pjesë e bimëve që rriten në Kopsht, normalisht këmbehen me kopshtet e tjerë botanike, nëpëmjet të ashtuquajturit “Index-Seminum”.
Nga ana tjetër, në pjesën kodrinore të Kopshtit, është krijuar një “imitim” i brezave fitoklimatike të vendit, gjë që i ndihmon shumë studentët në përfytyrimin e brezave vertikale të bimësisë. Pra, shihet qartë konceptimi modern i strukturimit të Kopshtit, bazuar mbi parime të qarta floristike dhe fitogjeografike.
Funksioni tjetër, po aq i rëndësishëm, është ai mësimor. Këtu zhvillojnë praktikat mësimore në lëndët e Botanikës dhe atyre që kanë në fokus biodiversitetin, jo vetëm studentë të Departamentit të Biologjisë së FSHN-së, por dhe të universiteteve të tjerë, si ai i Gjirokastrës, Shkodrës, Elbasanit, etj.
Po kështu, Kopshti vizitohet për qëllime mësimore edhe nga nxënës të niveleve të ndryshëm, si dhe nga shumë të apasionuar pas botanikës e natyrës në përgjithësi. Punonjësit shkencorë të Kopshtit i shoqërojnë dhe japin ekspertizën e tyre gjithë të interesuarve të sipërpërmendur, duke e bërë Kopshtin, kësisoj, një “laborator në natyrë”
Por, sipas VKM, Bashkia dhe Universiteti i Tiranës do të lidhin një marrëveshje që do të garantojë ushtrimin e veprimtarive mësimore e kërkimore-shkencore në ambientet e Kopshtit Botanik…
Po, kështu shkruhet në pikën 2 të asaj VKM, madje në pikën 3 shkruhet se “Bashkisë së Tiranës i ndalohet të ndryshojë destinacionin….”. Në fakt, ne mendojmë se kjo nuk e ndihmon procesin, ngaqë forca ligjore e marrëveshjes (edhe nëse kjo do të ndodhte, pasi jo gjithnjë palët merren vesh!) është më e vogël se e VKM-së. Konkretisht, neni 11 i Ligjit të transferimit të pronave të paluajtëshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore i jep mundësinë Bashkisë së Tiranës, që pas tre viteve të daljes së VKM-së, t’i kërkojë Këshillit të Ministrave heqjen e këtij kufizimi. Pa dashur të paragjykojmë, çdokush e kupton se frika mbetet!
Kopshti Botanik vizitohet edhe nga qytetarë të thjeshtë, madje aty bëhen edhe videoklipe artistike, foto dasmash, etj.
Ashtu është, edhe krijimi i ambienteve të bukur, çlodhës e të kulturuar është një tjetër qëllim i yni, pasi kështu “joshen” për dashurinë ndaj bimëve edhe njerez të thjeshtë, jo drejëtpërdrejtë të interesuar për natyrën. Prandaj, ne i nxisim qytatarët ta vizitojnë Kopshtin Botanik thuajse gjithë javën, kundrejt një çmimi fare modest të biletës; por natyrisht, duke konsideruar funksionet e mësipërme, nuk mund të lejojmë që ai të vizitohet në çdo orë e ditë të javës.
Kopshti Botanik nuk është “Park”, dhe këtë gjë besoj se Bashkia duhet ta ketë mjaft të qartë. Ne e vlerësojmë punën e saj për krijimin e parqeve të bukur e çlodhës dhe hapësirave të gjelbra në Tiranë, këtë gjë ajo di ta bëjë shumë mirë, por për Kopshtin Botanik, na takon neve si studiues të ushtrojmë e të realizojmë funksionet e tij, të pëputhshme me ato të kopshteve botanikë kudo në Botë.
Në dijeninë tonë, në vende të tjera ka dhe Kopshte Botanike që i përkasin Bashkisë.
Po, por së pari ato janë shumë të rrallë dhe ç’është më e rëndësishme, ato janë krijuar nga vetë ajo. Ne në Shqipëri nuk është se kemi shumë kopshte botanike, e, midis tyre, le të kishte edhe Bashkia një; jo, ne kemi vetëm një Kopsht Botanik, ku grumbullohet dhe studiohet flora spontane e vendit. Kalimi i tij tek Bashkia, pra kthimi i tij në “park”, thjesht do të rriste numrin e parqeve, por do të “zeronte” atë të kopshteve botanike. Kjo nuk do i bënte nder vendit tonë!
Ndërkohë, një nga argumentat pse Bashkia do ta marrë Kopshtin, është se “ai është degraduar dhe po kthehet në një landfill shkurresh”. Si qëndron e vërteta?
Hmmmmm (qesh hidhur) kjo do të ishte e trishtueshme nëse ata që e thonë e besojnë vërtetë. Kopshti Botanik, si shumica e institucioneve në vend, nuk është në ditët më të mira të tij; ai ka kaluar shumë vështirësi këto 2-3 dekadat e fundit, por ky nuk është aspak argument që të përgojohet apo që këto vështirësi, të shërbejnë si argument për rrëmbimin e tij në mënyrë të padrejtë.
Mjafton tu themi këtyre “të keqardhurve” se faktorët pengues apo ngadalësues të punës në Kopshtin Botanik nuk lidhen apo varen nga puna e tij; p.sh. kalimi i autostradës, prishja prej saj e Sistematikës së bimëve barishtore, prishja dhe moskompensimi i ndërtesës me ambjentet e shumtë, cënimi i territorit në jug të tij, si rezultat e ndërtimeve private, prishja dhe mosrehabilitimi i sistemit të ujitjes, marrja e padrejtë e makinës së ekspeditave etj., nuk ishin pak. Por Kopshti Botanik i rezistoi tallazeve dhe ja ku është sot: një “oaz” i gjelbër e i bukur mes betonit.
Ndërkohë, lajmi i mirë është se këto vitet e fundit ka rifilluar ngritja; kështu, nisi përgatitja e Indeksit të Farave, pra, shkëmbimi i tyre me kopshtet e tjerë botanike, planifikimi i rehabilitimit të sektorit të Sistematikës barishtore, shtimi i ekspeditave në terren, pjesmëmarrja më e madhe në projekte etj.
Përsa i përket “kthimit në landfill shkurresh”, më lejoni t’ju them, se vërtetë kemi hasur shumë vështirësi, por pastërtinë, rregullin dhe estetikën Kopshti Botanik e ka pasur historikisht dhe e ka “në gjak”; ai është një nga mjediset më të pastër e me estetikë të Tiranës; madje, se është i tillë aty xhirohen videoklipe, bëhen foto të ndryshme, edhe nusesh pse jo, aty xhirohen edhe sekuenca filmash artistike, madje ndonjëherë është realizuar edhe ndonjë takim elektoral (!). Kurse, sa për “shkurret”, kjo është pjesë e punës sonë, ne me shkurre, barishte e drurë merremi, s’bëjmë raketa kozmike!
Mosdakordësinë për VKM e kalimit të Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës po e ndjek ligjërisht, nëpërmjet një procesi gjyqësor. Ç’kërkoni konkretisht?
Ne kërkojmë anullimin e V.K.M.-së së mësipërme, dhe pastaj jemi të hapur për çdo bashkëpunim korrekt me Bashkinë e me këdo tjetër, në funksion të përmirësimit të funksioneve të Kopshtit Botanik, sidomos të atij shkencor e mësimor. /A.B/sapiens.al