Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka bërë një paralajmërim shumë të ashpër, për ata mijëra qytetarë që kanë ikur familjarisht nga shtëpia e tyre për fundjavë në drejtim të qyteteve të tjera, si Korça e Shkodra. Në Klan mbrëmjen e djeshme, Pipero tha se ky ishte gabimi i rëndë që bënë italianët dhe kërkoi të merren masa edhe më të drastike.
“Duhet të ketë masa edhe më drastike, - tha Pipero. - Për arsye se kur po vija këtu mora vesh që sot duke pasur frikë që nesër nuk mund të lëvizësh më me qindra ndoshta automjete apo shqiptarë kanë udhëtuar nga Tirana në drejtim të Korçës, nga Tirana në drejtim të Shkodrës, në drejtim të Lezhës për të bërë fundjavën.
Besoj që kanë bërë apo po bëjnë një gabim shumë të rëndë dhe është gabimi të cilin bëri Italia në fazat e para të kësaj epidemie duke lejuar veriun të ikte në jug dhe u shpërnda në gjithë Italinë.
Përmes jush bëj një thirrje tjetër, mirë që vajtën, por të bëhet një urdhër i prerë që nesër të mos hapet asnjë lokal, asnjë restorant, asnjë dyqan. Kanë bërë gabim, është gabim shumë i rëndë që bëhet në këtë situatë. Është gabim shumë i rëndë”, tha Pipero.