Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 9 raste të reja me COVID-19 dhe bëri apel për qytetarët të bashkëpunojnë me stafet mjekësore.
Rakacolli tha se në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19.
DEKLARATA
"Deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 51 raste: Nga rastet e konfirmuara pozitivë: Tiranë 34 raste, Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë), Lushnje 2 raste, Elbasan 2 raste, Fier 6 raste dhe Rrogozhinë 2 raste.
Prej tyre: 20 janë të shtruar në spitalin Infektiv: nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina).
Prej tyre janë në terapi intensive 3 qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Në vijim të hetimit të hollësishëm epidemilologjik të filluar ditën e djeshme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 4 raste personel shëndetësor, një mjek dhe 3 infermierë, të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në Spitalin Infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafet mjekësore.
Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar.
Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara.
Nisur nga sa ju informuam, dua të përsëris edhe një herë thirrjen për qytetarët: Telefononi në numrin 127!
Jepuni informacion të hollësishëm stafeve mjekësore! Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli shëndetësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj.
Sot është detyrim që të mbrojmë personelin shëndetësor.
Ju lutem qytetarë:
Shmangni vajtjet direkte në spitale!
Qëndroni në shtëpi!
Respektoni rregullat e reja!
Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë!"