Disa ditë më parë Gjykata e Apelit në Tiranë i dha të drejtë shtetasit Selami Simsek, duke e liruar, atij duket se nuk i është pranuar kërkesa për azil që ka bërë në vendin tonë.
Mbrëmjen e 9-të marsit, Simsek është dërguar në mënyrë të paprecedentë në ambientet e ministrisë së brendshme, ku dhe është marrë në pyetje nga ana e policisë ndërsa për disa orë me radhë ka qëndruar në sheshin përballë ministrisë i mbyllur brenda një furgoni dhe në shoqërinë e disa efektivëve.
Rreth mesnatës së kësaj date, policia ka ndaluar dhe gazetarin e Fax News, Bekim Bici, i cili ishte duke ndjekur nga afër ngjarjen. Ai kërkoi që të intervistonte Simsek por nuk u lejua nga ana e policisë, dhe u shoqërua për në komisariat me urdhër nga ”eprorët”, ndërsa pas disa orësh u la i lirë.
Bici ka shkruar një letër të cilën ua ka drejtuar Këshillit të Europës, Ambasadave të SHBA e BE-së në vendin tonë, Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për të Drejtat e Njeriut.
Teksa në letrën e tij tregon rrethanat e ngjarjes, ai ka bërë apel për reagim të menjëhershëm të këtyre organizmave vendas dhe të huaj ndërsa thkson se kurrë më parë në Shqipërinë e pas ’90-ës në Shqipëri, Liria e Shprehjes dhe e Informimit dhe të Drejtat e Njeriut, nuk kanë qenë më shumë në rrezik.
“Kërkoj nga ju të reagoni menjëherë, pasi fjala e lirë në Shqipëri është drejt çensurës çdo ditë e më shumë. Shoqërimi, intimidimi dhe kërcënimi im në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë një fakt për këtë. Si gazetar me rreth 8 vite eksperiencë, sot ndihem i rrezikuar nga shteti im. Si gazetar ndihem i kërcënuar nga personi apo personat të identivikuar me kodin ‘390’”, shkruan ndër të tjera Bici.