Mjeku i njohur i Infektivit, Tritan Kalo, foli për pacientin e shëruar nga COVID-19, që sot la ambientet e spitalit.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, mjeku Kalo tha se shërimi i pacientit ishte një moment që la mbresa në mendjen e stafit mjekësor, por edhe që ngjalli shpresa për qytetarët.
Kalo, dha edhe lajmin e mirë se shumë pacientë të tjerë të infektuar me COVID-19 do të lënë shumë shpejt spitalin.
Por, siç theksoi mjeku Kalo, jo të gjithë pacientët e shtruar tek Infektivi kanë ecur mirë, dhe katër prej tyre janë në gjendje të rëndë, në terapi intensive.
“Do dalim shumë së shpejti, dhe të tjerët nuk kanë plotësuar Akoma atë kursin 10 ditor të trajtimit. Një pjesë e tyre janë në gjendje të mirë klinike. Jo të gjithë ata që kanë ardhur në spital kanë ecuri të mirë. Katër prej tyre janë në terapi intensive. Janë rëndë, por shpresojmë që të kemi maksimumin e dobishmërisë në trajtimin e tyre.
Vetëm një në gjashtë të infektuar kanë të detyrueshme spitalin, për shkak të temperaturës, kollës, frymëmarrjes, pjesa tjetër trajtohen në shtëpi. Tani preken të gjithë, se është krijuar koncepti i gabuar sikur preken vetëm të moshuarit dhe të sëmurët kronikë”, u shpreh mjeku.
Pjesë nga intervista:
Si ishte momenti i daljes së pacientit?
Tritan Kalo: Lë mbresa në mendjen e një mjeku, që fillon e ngjall shpresa. Është kënaqësi e pamatë e të gjithë stafit, që ka një traditë t ëpunës si një ekip i vetëm, sepse është ky çelësi i suksesit. Kjo tregon atë që merituam në 2013, që të shpallemi si ekipi më i mirë në Shqipëri i trajtimit infektiv.
Si ishte rrugëtimi për këtë rast?
Jo të gjithë të shtruarit kanë simptoma të njëjta, por mund të shfaqin veprime nga më të papriturat dhe të ndryshme nga dita në ditë. I sëmuri dhe ata që po përgatiten për të dalë kanë pas ndryshim të pritshëm për të dalë, Brenda evolucionit. Që në momentin e shtrimit, pati një ecuri tejet të mirë, ndaj sot doli nga spitali, me dy tampon të bërë, që rezultuan negativë. E këshilluam të mbetet edhe 14 ditë në mjediset familjare, sepse kështu këshillohet.
A ka rrezik për familjarët ai?
Distancimi duhet zbatuar edhe 14 ditë për të vetmin dyshim që kanë mjekët që edhe pse mund të jetë negative ka raste, që një virus i mushkërisë mund të ketë shpëtuar. Duhen së paku 27 ditë që të zhduket gjithcka dhe që individi të mos ketë më rrezik dhe mundësia e kthimit të virusit të bëhet thuajse zero. Mund të gjendet një dritare e vogël dhe ta rikthejë sërish virusin. Ndaj këshillohet periudha 14 ditore pas daljes nga spitali.
Çfarë simptomash kishte pacienti?
Ai është trajtuar me medikamente, që duhen diskutuar mes personelit mjekësor. Ne nuk bëjmë asgjë, nëse nuk kemi një konsultim paraprak mes nesh. Ky i sëmurë nuk ka pasur kurbën e famshme të temperaturës, pra nuk ka pasur temperaturë të lartë, ndërsa ka të tjerë që vijnë me temperaturë të lartë. Por janë dy fakte të rëndësishme të COVID-19: kontakti, dhe tjetra përvec temperaturës, është rëndimi i frymëmarrjes.