Italia vijon të jetë edhe sot vendi me bilancin më negativ në betejën me koronavirusin. Numri i viktimave me koronavirus brenda 24 orëve është 651 e numri total i tyre ka arritur në 5476.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 5560 raste më shumë. Numri i përgjithshëm i personave pozitiv me COVID-19 është 59138. Sipas ekspertëve ka një rënie të lehtë në numrin e të prekurve, në krahasim me ditët e para.
Pacientët e shëruar janë sot 7024 e në 24 orë janë verifikuar 952 persona më shumë, një e dhënë kjo pozitive e pothuajse në të njëjtin trend me një ditë më parë kur numri i tyre ishte 943.
Në Lombardi janë aktualisht 27 206 persona me COVID-19 e numri i viktimave është 3456 e brenda 24 orësh janë regjistruar 361, një numër ky më i ulët se numri i viktimave të 24 orëve më parë (që ishte 546). Shqetësuese mbetet situata e pacientëve në gjendje kritike për jetën e në repartet e terapisë intensive ku numri i tyre deri më tani është 3009.
Numri i pacientëve që po kurohen në struktura spitalore është 19846 e 23783 po kurohen në kushte shtëpie. Ndërsa ndryshe nga një ditë më parë rajoni me numrin më të ulët të personave të infektuar është Molise me 66 raste e 7 viktima. Ndërsa rajoni pa asnjë viktimë me koronavirus vazhdon të mbetet ai i Bazilikatës.
Gjatë 24 orëve të fundit është rritur dhe numri i personave të infektuar në rajonin e Lazios, ku është pozicionuar kryeqyteti italian Romë me 1383 persona pozitive e 53 viktima. Rajonet jugore italiane gjithashtu kanë sinjalizuar rritje të rasteve me OCVID-19 në territorin e tyre.
Në Kalabri janë deri më tani 273 të infektuar e 8 viktima,
Në rajonin e Puglias, 786 raste e 31 viktima.
Në Sardenja janë 339 të infektuar e 7 viktima
Në Sicili 630 të infektuar e 8 viktima.
Deri më sot Italia ka kryer 258 402 tampone.
Statistikat
4,826 punonjës të kujdesit shëndetësor në Itali janë infektuar nga koronavirusi i ri Covid-19. Informacioni bëhet i ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në Itali (ISS). Kjo do të thotë se rreth 9% e të infektuarve në të gjithë vendin nga Covid-19 janë punëtorë të kujdesit shëndetësor. Federata Kombëtare e Kirurgëve dhe Stomatologëve në Itali po boton një procesverbal të mjekëve që janë infektuar dhe kanë vdekur nga Covid-19 që nga fillimi i shpërthimit, shkruan CNN.
Ajo rendit 18 mjekë që kanë ndërruar jetë që nga 11 Mars; prej tyre, 15 janë nga Lombardia, rajoni më i goditur dhe epiqendra e shpërthimit të Italisë. Është e paqartë nëse secili prej mjekëve të listuar po luftonte drejtpërdrejt me shpërthimin e koronavirusit dhe duke trajtuar të infektuarit.