Presidenti i Republikës Ilir Meta ka treguar se nga buron qetësia e tij dhe në këtë kohë krize në Shqipëri teksa të gjitha strukturat shtetërore dhe qytetarët përballen me virusin e rrezikshëm që ka marrë jetët e mijëra njerëzve në mbarë botën.
Në “Real Story” në News24, Meta kujtoi krizën humanitare gjatë luftës në Kosovë dhe tha se për 50 ditë populli i Kukësit dhe Shqipërisë e përballoi i vetëm. Ai theksoi se në këtë situatë është në dorën e qytetarëve të na ndihmojnë për ta përballuar me efikasitet.
Lubonja: E besoj optimizmi, por ne që jemi gazetar, duhet ta shohim me dyshim. Vuçiç tha kur donte Evropa paratë tona i mori tani që ne kemi nevojë nuk ka. Atëherë ne po i drejtohemi vëllait tonë Xi, për presidentin kinez. Vërtetë mund të keni vullnetin apo keni ku ti merrni. Do ndodhë kjo? Na duhet një informacion pak më bindës.
Balla: Për kontrata të përfunduara mes nesh e Indisë, për shkak të lock down që ka shpallur India këto kontrata janë të pavlefshme dhe këto materiale nuk po vijnë. Secili ka hallin e vet, siç tha dhe Lubonja me rastin e Vuçiç.
Meta: Qetësia ime në pamje në menaxhimin e kësaj krize buron nga eksperienca ime në atë kohë e krizës humanitare të Kosovës kur kishim garanci nga UNHCR prej gati një viti se ishin marrë të gjitha masat dhe kur kriza shpërtheu në Kukës kishte vetëm 2 mijë dyshekë UNHCR për përballimin e kësaj krize dhe qeveria ishte pas 1997 dhe nuk kishte mundësitë që ka sot. Megjithatë krizën e përballoi solidariteti dhe përgjegjshmëria e popullit së pari të Kukësit, Tropojës, e gjithë popullit shqiptar.
Bota na ka ndihmuar 40 e ca ditë pasi u ngritën avionët për t’i dhënë fund gjenocidit sepse ishin bllokuar të gjitha korridoret ajrore. Për 40 e ca ditë 50 ditë krizën e ka përballuar populli i Kukësit.
I apeloj gjithë qytetarëve, është në dorën e tyre të na ndihmojnë të gjithëve për ta përballuar me efikasitet këtë situatë. Infrastruktura po fuqizohet. Janë porositur pajisje, tamponë dhe kemi marrë gjithë sigurimet që do të vijnë në kohën e duhur. Ka shumë rëndësi përgjegjshmëria e qytetarëve, solidariteti i tyre me mjekët e infermierët. Dhe ne do ta menaxhojmë këtë sepse jemi një vend i vogël por i përgjegjshëm në të tilla raste.