Sistemi ynë imunitar është një mrekulli. Përditë ai është në veprim dhe ne as që e vëmë re. Ai është përgjegjës për mbrojtjen e trupit tonë nga « të paftuar » të rrezikshëm si për shembull viruset. Për njerëzit me sistem imunitar të dobët kjo mund të kthehet në problem. Nëse kësaj i shtohet edhe një sëmundje, atëherë këta persona duhet të kenë shumë kujdes që të mos sëmuren nga ndonjë infeksion.
Sëmundjet kronike të mushkërive
Tek njerëzit azmatikë, mushkëria është e dëmtuar. Në momentet e azmës, sekrecionet bronkiale bllokojnë rrugët e frymëmarrjes dhe frymëmarrja vështirësohet. Kjo ka efekt sidomos në nxjerrjen e frymës. Këta pacientë kanë më shumë vështirësi me frymëmarrjen se ata të shëndetshmit. Azmatikët mund ta nxjerrin më me vështirësi ajrin nga mushkëritë, prandaj mund të vijë puna deri tek bllokimi i frymëmarrjes.
Të prekurit kanë ndjesinë se nuk marrin dot më frymë. Trupi ndërkohë fillon të veprojë kundër fenomenit bëhet më i cënueshëm. Në Gjermani ka 8 milionë azmatikë. Shumica prej tyre vuajnë ose nga azma alergjike ose jo alergjike. Azma alergjike mund të shkaktohet nga alergjenë apo infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, si në rastin e një virusi. Trupit i duhet kështu të luftojë jo vetëm kundër azmës, por edhe kundër sëmundjeve të tjera. Atij I kërkohet shumë, nganjëherë shumë më tepër se sa arrin ta përballojë, e ndodh që sistemi nuk funksionon më si duhet, në rastin më të keq me pasoja fatale.
Edhe sëmundja COPD, një sëmundje kronike obstruktive e mushkërive bën pjesë tek sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes. Studiuesit janë të mendimit, se pirja e duhanit, është një faktor i rëndësishëm shkaktues për COPD.
Për çdo rast pacientët me një diagnozë të tillë janë me një rrezik më të lartë, kur trupi e sistemi i tyre imunitar duhet të luftojnë edhe kundër një sëmundjeje tjetër. Njerëzit që kanë një sistem imunitar më të dobët për shkak të një sëmundjeje tjetër kanë probleme më të mëdha të luftojnë një infeksion se ata me shëndet të mirë. Mushkëria është e dëmtuar, viruset e kanë të lehtë të depërtojnë.
Diabeti
Njerëzit me diabet kanë një sistem imunitar më të dobët se ata me shëndet të mirë. Kjo vlen për të dyja format e diabetit, të tipit 1 dhe 2. Tipi 1 është një sëmundje autoiminutare. Në këtë rast antitrupat shkatërrojnë qelizat Beta në pankreas që prodhojnë insulinën.
Trupi nuk prodhon mjaftueshëm të tilla dhe është rregullisht me nivel të lartë sheqeri. Vlerat e rritura të sheqerit në gjak dobësojnë imunitetin. Nëse sëmuresh nga një infeksion, në rastin më të keq me temperaturë, gjendja e përgjithshme e diabetikëve keqësohet në tërësi.
Kjo vlen edhe për ata që e kanë diabetin nën kontroll. Diabeti mund të ndryshojë enët e gjakut dhe të sulmojë organet duke e nxjerrë nga ekuilibri i duhur trupin. Në këtë rast trupi e lufton shumë më keq një virus që depërton brenda tij.
Sëmundjet e zemrës
Këtu bëjnë pjesë sëmundjet e zemrës, ato koronare dhe ishemike. Nën ishemi mjekësia kupton qarkullimin e pakësuar të gjakut ose bllokimin e tij. Një pikë e bllokuar e venave koronare çon në mungesën e oksigjenit.
Përgjegjëse është arterioskleroza, sklerotizimi i enëve të gjakut. Në këtë rast një infeksion nga jashtë mund të sjellë pasoja fatale. Tek të gjithë ata që vuajnë nga probleme të ndryshme të zemrës apo tensionit të gjakut një virus e vë në situatë ekstreme trupin.
Tensioni i lartë i gjakut
Në Gjermani janë 20 deri në 30 milionë vetë të sëmurë nga hipertonia, tensioni i lartë i gjakut. Edhe kjo sëmundje sjell me vete rreziqe në raste infektimi nga viruset. Tensioni i lartë i gjakut në plan afatgjatë dëmton edhe enët e gjakut.
Kur tensioni i gjakut është rregullisht i lartë kjo ka pasoja për zemrën – kështu trupi i cënuar nga sëmundje të tilla nuk e ka të lehtë kur sulmohet nga një virus. Pacientët e dallojnë shumë vonë rrezikun e heshtur, nganjëherë pas një hemoragjie cerebrale apo infarkti. Për viruset një sistem i dobësuar imunitar është një viktimë e mirë.
Kanceri
Nga infeksionet janë të rrezikuar edhe pacientët e sëmurë nga kanceri. Terapitë e ndryshme e dobësojnë sistemin imunitar. Në Gjermani çdo ditë sëmuren afër 1400 vetë nga një sëmundje kanceri. Disa qindra mijëra janë në trajtim ose terapi. Këtu bën pjesë edhe kimioterapia. Mjekët përdorin në këtë rast Citostatika që të luftojnë shtimin e qelizave të kancerit. Por ato nuk sulmojnë vetëm qelizat kanceroze, por edhe ato të rëndësishme për trupin.
E gjitha kjo ka efekt në sistemin mbrojtës imunitar. Trupi është më i rrezikuar për viruset e ndryshme. Se në cilën masë është trupi i prekur, kjo varet nga lloji i kancerit dhe gjendja e përgjithshme e pacientit. Sidoqoftë njerëzit që marrin kimioterapi apo rrezatim duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të mënjanuar infeksionet. Ata duhet të qëndrojnë larg për shembull nga njerëzit me infeksione.
Viruset transmentohen shpesh përmes teshtimës apo dhënies së dorës. Kur teshtin apo kollitet një i sëmurë, infeksioni përhapet në një rreze jo të vogël. Për pacientët me kancer kjo mund të rrezikojë edhe jetën.
Supresivët e imunitetit
Një sëmundje tjetër e rrezikshme është edhe ajo autoimunitare. Në raste të tilla mjekët i japin pacientëve supresivë imunitarë. Ato kanë efektin e dobësimit të sistemit imunitar që vepron kundër vetes, pra kundër trupit duke e sulmuar atë. Këto medikamente kanë efektin e dobësimit të sistemit imunitar ose të çaktivizimit të tij.
Ky organizëm është shumë i cënuar nga viruset e ndryshme të gripit apo corona. Këtu bëjnë pjesë njerëzit me sklerozën e shumëfishtë, reumatizëm apo ata me sëmundje inflamative të zorrës së trashë, si Morbus Crohn. Edhe njerëzit me Sida i marrin ilaçe të tilla.
Supresivët, pra dobësuesit e sistemit iminutar ndihmojnë nga njëra anë për mbajtjen nën kontroll të sistemit imunitar, nga ana tjetër e dobësojnë atë. Kur viruset kanë sezonin e tyre njerëz të tillë duhet të kenë shumë kujdes. Por duhet thënë: Disa virusë nuk pyesin dhe rrezikojnë edhe personat pa sëmundjet e lartpërmendura. Pra kujdesin dhe higjienën duhet ta kenë të të gjithë.
/DW/