Paga e luftës/ 176 mijë të punësuar në biznesin e vogël, lista e aktiviteteve që përfitojnë

Tuesday, 31 Mars 2020 08:51

Janë rreth 99 mijë subjekte në vend, të cilat janë të regjistruara si biznes i vogël, pra që kanë një qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, ose rreth 92% e totalit të ndërmarrjeve në vend. Sipas të dhënave nga tatimet, në këto subjekte të vogla deri në fund të vitit 2019 ishin të punësuar gjithsej rreth 176 mijë persona, si të vetëpunëusar, apo të punësuar me pagë.

Në total, të punësuar në sektorin privat jo bujqësor deri në fund të dhjetorit ishin rreth 516 mijë persona, sipas INSTAT. Nga këta 35% janë të punësuar, ose vetëpunësuar në biznesin e vogël, ndërsa të tjerët, rreth 319 mijë persona janë të punësuar nga bizneset e mëdha (që realizojnë mbi 14 milionë lekë qarkullim vjetor në vit). Rreth 20 mijë prej tyre janë të punësuar në ndërmarrjet shtetërore që funksionojnë si sh.a ( OSHEE, Posta, KESH, OST, Ujësjellës, porte etj). Ndërsa 174 mijë të tjerë janë të punësuar në sektorin shtetëror. Në bujqësi janë dhe 463 mijë persona të tjerë, të cilët konsiderohen si të vetëpunësuar, duke bërë që në total në vend të jenë 1.15 milionë të punësuar, sipas INSTAT.

Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor nga tremujori i parë i vitit 2017 e në vijim, është mesatare tremujore e llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas INSTAT. Ndërsa numri mesatar i të punësuarve në sektorin bujqësor bazohet në vlerësimet tremujore të Anketës së Forcave të Punës.

Sa të punësuar do kompensohen nga paga e luftës
Kufizimi i aktiviteteve ekonomike dhe i lëvizjeve të qytetarëve nga java e dytë e marsit, si rrjedhojë e masave për parandalimin e virusit infektiv Covid-19, ka vënë në vështirësi shumë biznese, të vogla e të mëdha, si dhe të vetëpunësuar. Shumë subjekte kanë mbyllur aktivitetin të detyruara nga një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ku përcaktoheshin aktivitetet që lejohen të ushtrojne veprimtari ekonomike dhe, aktivitetet qe nuk lejohen të ushtrojne veprimtari ekonomike. Nga 140 aktivitete ekonomike, 34 u mbyllën.

Por dhe biznese të tjera që nuk kufizoheshin nga kjo listë kanë ndalur aktivitetin për shkak të pamundësisë për të lëvizur, mungesës së klientëve, apo ndërprerjes së zinxhirit ekonomik (psh dyqanet e tregtimit të peshkut, ndonëse lejohen si aktivitet, janë mbyllur në disa raste për shkak se restorantet që ishin klientët kryesore nuk punojnë më). Të tjera kanë reduktuar minimalisht aktivitetin për shkak të mosqarkullimit të njerëzve.

Qeveria, në planin e saj financiar për të përballuar situatën, parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, përmes dhënies së një page minimale prej 26 mijë lekë (e ashtuquajtur paga e luftës), ndërsa biznesi i madh mund të përfitonte nga një fond garancie prej 100 milionë eurosh.

Por dhe dhënia e pagës minimale për biznesin e vogël është e kushtëzuar nga lista e Ministrisë së Shëndetësisë për aktivitetet që lejohen apo jo. Vendimi, që sqaron se si do të kompensohen të punësuarit/vetëpunësuarit, aktiviteti i të cilëve është mbyllur për shkak të situatës së krijuar me Covid-19, thotë se subjekti përfitues, krahas kriterit të xhiros, duhet që së pari të ketë ndërprerë aktivitetin në zbatim të urdhrave përkatës të ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të nxjerra për këtë qëllim. Kjo do të thotë që kompensim do të marrin vetëm subjektet që janë pjesë e aktiviteteve ekonomike të mbyllura.

Kryeministri dhe ministrja e financave kanë deklaruar se përfitues nga paga e luftës do të jenë rreth 60 mijë persona, ose një e treta e të punësuarve/vetëpunësuarve në biznesin e vogël.

Fondi i përcaktuar nga vendimi për dhënien e ndihmës finaciare (që përfshin biznesin e vogël dhe ndihmën ekonomike për të papunët) është 5.85 miliardë lekë për tre muaj, pra 1.95 miliardë lekë në muaj, që nuk mundëson kompensimin e më shumë se 75 mijë biznesve në muaj, (me pagën minimale 26 mijë lekë), përfshirë dhe pagesën e papunësisë.(Link).

Ndërkohë ka një paqartësi te bizneset se cilat aktivitete do të kompensohen dhe cilat jo. Burimet nga tatimet thanë se gjatë ditës së sotme (31 mars) pritet të publikohet dhe lista e saktë e aktiviteteve ekonomike, që po përgatitet nga Ministria përgjegjëse për situatën e Covid-19 ( Ministria e Rindërtimit, që po menaxhon dhe fondet e tërmetit).

Aplikimi fillon në 1 prill
Nga 1 prilli, subjektet, që plotësojnë kriteret, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik në e-filing, kërkesën me të dhënat e përfituesve (formulari në këtë link, kliko këtu). Pasi formulari plotësohet, secili subjekt e ngarkon atë tek rubrika “Çështjet e mia”.

Tatimet thonë se pas verifikimit brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, të të dhënave të derguara nga aplikuesit, nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ku subjektet janë të regjistruar, lista përmbledhëse me të dhënat e individëve përfitues të ndihmës financiare, paraqitet nga DPT, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, e cila, sipas VKM nr.254, satë 27.03.2020, kryen pagesat për individët përfitues. 

 
Login to post comments